Gjon Karma. Aktor. Lindi në Shkodër, më 16 mars 1915. Qysh nga viti 1932 u aktivizua si aktor amator në shoqerinë artistike “Bogdani” të qytetit si dhe në shoqeri të tjera, si “Rozafat”, “Vllaznia” etj. U ngjit në skenë për herë të parë në vitin 1934, duke luajtur rolin e Nush Lezetit, që la gjurmë te publiku shkodran, duke afirmuar daljen e një aktori të ri të talentuar të humorit. Në vitin 1945 filloi punë si aktor profesionist pranë Teatrit të Shtetit, duke qenë ndër aktoret themelues të ketij teatri.
Ka luajtur mbi 100 role, të shumtit nga ata quhen “role të vogla” dhe episodike, ku pati sukses posacerisht në vizatimin e figurave të planit komik e sarkastik, sikurse edhe në krijimin e karaktereve origjinale. Në interpretimin e tij. Gjon Karma gërshetoi me nur e sens masë ironine dhe satiren me gazmendin, elementin e lehtë të humorit dhe groteskun, duke anuar në mënyrë të vetvetishme drejt portretizimeve realiste e me vërtetësi jetësore. Kjo veti u vu re qysh me rolin e tij të parë, Pjerushin në komedinë Gjido, me 1945 dhe u bë zoteruese e fitoi përmasë me rolin e Monos në koemdinë Prefekti të Besim Levonjes 1948, ku ai njëmendësoi figurën e zyrtarit të korruptuar, hileqar e servile.
Perpos si aktor, në vitet e para të jetes në Teatrin Popullor ai shkroi edhe disa komedi e pjesë skenike, ku vecohet komedia Qypi me flori. Një nga rolet më të zëshme ka qenë ajo e prefektit Vehip në komedinë Karnavalet e Korçës e Spiro Comores 1964, me të cilin u konsolidua më tej talenti i veçantë i tij si aktor i prerjeve sarkastike, për të vizatuar me elegancë e vërtetësi tiparet e mevetësishme të personazheve, por gjithherit duke i ironizuar e tallur ata. Luajti me humor rolin e Zeqos në dramën Fytyra e dytë e Dritero Agollit 1968, tregtarin në dramën Arturo Ui të Bertold Brehtit, 1971 etj.
Krahas teatrit, ku interpretoi mbi 100 role të planeve të ndryshem, Gjon Karma ka mishëruar edhe 15 role në kinematografi, duke filluar me atë të spiunit në filmin Debatik, 1961 e duke vijuar me: kryetarin e Bashkisë te Koncert në vitin ’36, Seit Beci te Fundi i nje gjakmarrjeje, Mico Falli te Vendimi etj. Gj. Karma u bë i njohur dhe i dashur për publikun edhe me interpretimet e shumta në emisionin humoristik Ora gazmore te “Radio Tiranës”, sikurse edhe në radiodramatizimet e shumta për femijë e të rritur.
Perpos aktrimit, një nga meritat e punës së tij ka qenë edhe hulumtimi, sistemimi, publikimi i të dhënave për historinë e lëvizjes teatrore në Shqiperi, sidomos në qytetin e Shkodrës, gjithashtu edhe ato për Teatrin Kombëtar, duke u bërë një nga mbartësit, themeluesit dhe pasuruesit e Arkivit të Teatrit Kombëtar. Mban titullin “Artist i merituar”. Ndahet nga jeta në moshën 79 vjecare në Tiranë me 13 janar te vitit 1994./AkotretShqiptare/UrbanNews.al
Ndalohet publikimi i këtij artikulli pa miratimin e urbannews.al








