/- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanoviç vizituan sot banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit në Golem, Durrës.
Të shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, takuan banorët e prekur nga tërmeti në hotel “Harmonia”, në Golem ku janë akomoduar 250 persona, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti.
Banorët e akomoduar në këtë hotel i shprehën mirënjohjen Kryeministrit Rama për kujdesin e treguar ndaj tyre, pas tërmetit.
Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, tha se “në këtë hotel prej shumë ditësh janë të akomoduar rreth 250 persona, po përpiqeni tu qëndrojmë pranë dhe shumica prej tyre kanë fituar edhe bonusin e qirasë””.
Banorët shprehen të kënaqur për kujdesin e treguar nga Qeveria, për të gjitha moshat që nga fëmijët deri tek të moshuarit.
“Jemi të kënaqur sikur po i kalojmë të gjitha dhimbjet që i kemi kaluar si pasojë e tërmetit”, shprehet një prej tyre.
Vuçiç, Zaev dhe Djukanoviç ndodhen në Tiranë në kuadër të takimit të tretë rajonal për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”.
Ky takim është në vijim të dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane./k.s
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=764588177341384&id=138734771522




