Kryetari i deritanishëm i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka përqafuar kryetarin e zgjedhur të kryeqytetit, Përparim Ramën, pak minuta para se të ia dorëzojë detyrën.
Rama dhe Ahmeti janë parë të afërt, pak para se të fillojë mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Kryetari i ri i kryeqytetit, Përparim Rama do të betohet sot para Kuvendit Komunal të Prishtinës. Mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal të Prishtinës pritet të fillojë në orën 10:00.
“Mbahet mbledhja inauguruese me ç’rast bëhet betimi i anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe betimi i kryetarit të zgjedhur të Komunës së Prishtinës. (Salla e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, ora 10:00)”, thuhet në njoftim.
Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës doli fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku ishte në garë me Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Gazeta Express ka publikuar fotot e perqafimit mes dy kundërshtarëve politikë.






