Igli Tare është drejtori sportiv më i suksesshëm në Serinë A dhe një motiv krenarie më shumë për shqiptarët. Madje edhe në zgjedhjen e trajnerit të ri të Kombëtares, një dorë e kishte pikërisht edhe legjenda e kuqezinjve.
Në një intervistë të gjatë për “Top Channel”, të cilën do e lexoni edhe më poshtë, flitet për tema të ndryshme. Për ta filluar me Shqipërinë, atje ku Tare tregon telefonatën me trajnerin Reja, duke u shprehur se ky i fundit ndihet si 40-vjeç. Ndërsa një koment nuk mund të mungojë edhe për Kosovën, me rezultatet fantastike që po sjell Shaland në drejtimin e tij.
Intervista e plotë
Kur kujtojmë Lazion, kemi edhe trajnerin aktual të kombëtares , Edi Rejan, ish-trajner i Lazios. Ju keni punuat me të, mund të na tregoni diçka rreth tij.
Igli Tare: Besoj se është njeriu i duhur në vendin e duhur, në momentin e duhur. Zgjedhja që ka bërë kombëtarja shqiptare besoj se është e duhura. Por çdo gjë është e lidhur me rezultatet, duhet të jenë ato që duhet të japin edhe atij mbështetjen për ta konfirmuar atë çfarë unë thashë. Eksperinaca e madhe që ai ka, mënyra për të trajtuar momentet negative në një skuadër, besoj se brenda kontekstit të kombëtares shqiptare që është e ndërtuar me një miks lojtarësh me eksperiencë dhe shumë të rinj, eksperienca e tij do të jetë ndoshta e çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme.
Në deklaratat e tij të para ka treguar se ka pasur edhe një kontakt me ju. Madje ka bërë edhe një batutë se nga ju ka marrë vetëm të mirat për sa i përket Shqipërisë, mund të na thoni diçka?
Igli Tare: Është normale, sepse është ai entuziazmi kur bëhet fjalë për kombëtaren shqiptare. Por kam folur gjatë me të ku i kam shpjeguar skuadrën, ose i kam dhënë mendimet e mia për individët e kësaj skuadre dhe për perspektivën që ka kjo kombëtare. Jam i bidnur se ekperienca e madhe që ai ka do të bëjë diferencën.
Çfarë nuk ka funksionuar deri në këto momente, nën drejtimin e Pannucit, i cili ishte një trajner i ri?
Igli Tare: Nuk mund të quhet një trajner i ri, apo i vjetër. Ajo që është më e rëndësishme është se çfarë fryme sjell një trajner në një skuadër. Ndoshta fryma që solli Pannuci në kombëtare nuk ishte ajo e duhura për të ndezur atë shkëndijë të duhur pas një Evropiani të suksesshëm. Fakti që trashëgoi një skuadër pas një suksesi historik dhe tranzicioni nag një skuadër në një tjetër duhet të ishte i shoqëruar edhe nëpërmjet disa rezultateve pozitive që ai nuk i pati dhe kjo e bën akoma edhe më tragjike qëndrimin e tij në kombëtaren shqiptare. Besoj se zgjedhja e bërë për ta larguar nga skuadra ishte e duhura dhe duhet t’i jepet kohë skuadrës për të gjetur ato ekuilibra të duhur. Besoj se ato kualitete që janë, janë të mjaftueshme për një skuadër, për të luftuar të paktën për vendin e dytë ose të tretë.
Formimi i përfaqësues të Kosovës ka sjellë një lloj tkurrje për zgjedhjen e elementëve. Çfarë i mungon kombëtares kuqezi?
Igli Tare: Nuk e shoh si prishje pune, Kosova tashmë është një realitet i njohur dhe duhet pranuar nga të gjithë. Kosova ka një shembull shumë të mirë, sepse kalimi nga trajneri i parë në të dytin, me zviceranin, i cili është një trajner me shumë eksperiencë. Ka gërshetuar shumë mirë individualitetin me talentin e përvojën e disa lojtarëve. Ka krijuar një entuziazëm shumë të madh, kjo është për t’u përshëndetur dhe për t’u admiruar. Por nga ana tjetër çdo e keq e ka një të mirë. Për kombëtaren shqiptare do të hapet një punë shumë e madhe, mbi të gjitha përsa i përket futbollit në Shqipëri, investimi për infrastrukturën e klubeve do të ishte çelësi si suksesit për të ardhmen. Gjeneratat e reja me kalimin e 2-3 viteve do të japin një skuadër më të formuar. Por me afrimet e reja kjo gjë mund të jetë edhe më e përshpejtuar.
Edi Reja ka një kontratë vetëm 6-mujore. A e shihni si një zgjidhje të mirë? Sepse mosha e Rejas shihet si e diskutueshme pasi bëhet fjalë për një trajner 73-vjeçare.
Igli Tare: Ka pasur trajnerë në botë që në moshë edhe më të madhe se Reja kanë pasur sukses shumë të madh. Mosha është thjesht një numër, unë e njoh shumë mirë. Ai është një 73-vjeçar që bën jetën e një 40-vjeçari, kështu që shumë energji. Është një njeri që i pëlqejnë sfidat. Por mbi të gjitha ka një eksperiencë që mund ta ndihmojë këtë skuadër. Zgjedhja për të firmosur një kontratë disa mujorëshe i jep një avantazh FSHF-së që të mos jetë e lidhur financiarisht me një trajner, e nga ana tjetër i jep mundësinë që të studiojë metodologjinë e Rejas në këto 6 ndeshje që ai ka si provë. Nëse do ketë një përmirësim të rezultatit nga fillimi deri në fund të kësaj kontrate besoj se janë edhe bazat për të bërë diçka edhe për një periudhë 2-vjeçare tjetër.