Kryeministri Edi Rama i përgjigjet ashpër presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit tha se me ndryshimet kushtetuese Rama e çoi veten drejt përplasjes me popullin.
Rama i drejtohet Metës duke e quajtur si “shkelës recidiv i Kushtetutës”, por që Kuvendi nuk e shkarkoi në respekt të Komisionit të Venecias.
Me tone të ashpra, Rama thotë se Meta nuk do të arrijë të ndezë zjarrin e konfliktit mes popullit dhe shtetit. Kreu i qeverisë i thotë Metës se është bërë “qesharak” si Haxhi Qamili që nga llogorja Presidencës po bën luftë politike duke sulmuar ambasadorët.
Reagimi i plotë i Ramës:
Ilir, ti je nje shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venezias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!
Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin!
Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!




