Qeveria miraton vendimin, hapet rruga për privatizimin e banesave shtetërore, ja procedurat që do ndiqen
Qeveria ka miratuar vendimin për privatizim të banesave shtetërore. Ditën e djeshme në faqen zyrtare të kryeministrisë është publikuar vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave për përcaktimin e rregullave, kushteve dhe procedurave të privatizimit dhe përfituesve, pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për strehimin social”, për banesat ose objektet e kthyera në banesa të ndërtuara nga shteti, të cilat vijojnë të jenë në pronësi të shtetit e rezultojnë të paprivatizuara dhe të paregjistruara në regjistrin kadastral të pasurive të paluajtshme.
Ky vendim do të përfshijë të gjitha ato banesa që: kanë qenë objekt privatizimi sipas ligjit “Për privatizimin e banesave shtetërore”, por kanë mbetur pa u privatizuar nga familja që e ka poseduar me kontratë qiraje me ish-ndërmarrjet komunale banesa. Në këto raste privatizimi kryhet në emër të personit, i cili ka pasur kontratë qiraje me shtetin para vitit 1992 dhe të personave të tjerë madhorë të familjes. Gjithashtu përfshihen në këtë vendim ato banesa që janë objekt privatizimi dhe janë banesa të ndërtuara deri më 31.12.1999 dhe që i kanë kaluar në administrim ose pronësi Entit Kombëtar të Banesave me akte nënligjore, sipas ligjit “Për privatizimin e banesave dhe objekteve, të kthyera në banesa me fondet e shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”.
Në këtë rast privatizimi bëhet në emër të personit që ka emrin në listën e trashëguar nga ish-ndërmarrjet shtetërore. Procedura e privatizimit fillon me paraqitjen e kërkesës për privatizim nga subjekti i interesuar. Kërkesa i dërgohet, brenda 60 ditëve nga njoftimi publik i parashikuar, EKB-së ose njësisë së qeverisjes vendore në territorin administrativ të së cilës ndodhet banesa. Pas dorëzimit të kërkesës struktura përkatëse e EKB-së plotëson formularët e privatizimit. Formulari shoqërohet me planimetrinë e apartamentit, e cila hartohet e nënshkruhet nga projektues të licencuar, sipas matjeve në vend me shpenzimet e përfituesit të privatizimit. Kur banesa është individuale, planimetria e banesës shoqërohet edhe me planvendosjen e planimetrinë e truallit. Formulari nënshkruhet nga personat përfitues nga privatizimi.
Pas dorëzimit të formularit identifikohet përfituesi dhe menjëherë njësitë përgjegjëse për privatizimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, me paraqitjen e kërkesës, shqyrtojnë dokumentacionin e dosjes në prani të personit të interesuar dhe marrin vendim për: pranimin e kërkesës; refuzimin e kërkesës, kur nuk plotësohen kushtet e dokumentacioni i nevojshëm për privatizim, sipas parashikimeve në këtë vendim; kthimin e kërkesës për plotësimin e mangësive në dokumentacion.