Ditët e fundit rastet nga COVID-19 janë përhapur frikshëm, paniku tek njerëzit ka hyrë më tepër dhe ka sjellë edhe frikën te shumë qytetarëve për të frekuentuar plazhet. Për këtë, mjeku infeksionist ka qetësuar njerëzit duke thënë se nuk ka asnjë rrezik pasi virusi nuk transmetohet nëpërmjet ujit. Ky argument është kërkuar pasi ditët e fundit është përhapur teoria se nëse dikush pështyn në det, atëherë në këtë mënyrë mund të përhapet sëmundja dhe të infektohen më kollaj njerëzit nga ujit.
Por Pipero e ka shpjeguar edhe këtë në emisionin Provokacija se virusi nuk transmetohet nga uji dhe këshillon që qytetarët mos të merren me opinione pa fakte, por të dëgjojnë profesionistët të cilët flasin duke u bazuar në fakte.
“Nëse has në pështymën e dikujt në ujin e detit nuk e merr virusin. Virusi nuk transmetohet përmes ujit. Edhe unë do i bëj pushimet në Dhërmi. Nuk do ikim të gjithë në një kohë. Ka studime që thonë se me ngritjen e temperaturës ulet transmetueshmëria dhe ajo është ulur. Por shifrat janë shtuar sepse është shtuar transmetueshmëria. Nëse do ishim të hapur në mars, numri do ishte më i lartë. Asnjë nga ne nuk bën dot parashikime. Do ishte mirë të shpëtonim prej opinioneve dhe të merremi me fakte. Në bazë të fakteve që shohim përditë po i themi këto që themi”, tha mjeku.
Ai diskutoi ҫështjen e pushimeve, duke dhënë këshilla si duhet të sillen njerëzit.
“Pushimet nuk do jenë si një vit më parë. Këtë vit nuk do pushojmë për qefin e dynjasë, por për veten, do bëjmë qef më shumë se një vit më parë. Në rast se ruajmë distancat e shmangim virusin. Duhet të shmangen lokalet e natës por duhen zbatuar protokollet me distancë mes çadrave, të mos grumbullohemi në restorant dhe në breg të detit”, tha Pipero.




