Shpesh herë në TV apo në rrjete sociale dëgjoj të debatohet një temë kulturalisht e nxehtë: përse filmat shqiptarë të para viteve 90 janë më të pëlqyer (sot më shumë) nga filmat që janë realizuar më pas.
Si pjesë e kësaj fushe të artit mendoj se arsyeja madhore është mënyra e organizimit të produksionit kinematografik.
Kinostudio u krijua me qëllimin e vetëm që të përçonte tek masat ideologjinë e partisë-shtet. Fillimisht aty prodhoheshin kinoditarë e dokumentarë, por me kalimin e kohës dhe me shkollimin e kineastëve në universitetet prestigjoze lindore u bë e mundur të ndërmerrej realizimi i filmave artistikë, tematika e të cilëve duhet të mbështetej në ideologjinë partiake.
Sot, në një perspektivë të largët, ne do e quanim sistemin e asaj kohe, që proklamonte barazinë shoqërore dhe entuziazmin revolucionar për ndërtimin e një shoqërie pa klasa, një dështim total. Dhe kjo është e vërtetë në rrafshin politik dhe ekonomik. Ndërtimi i një shoqërie të tillë ishte një utopi, por në art utopi të janë të bukura, sepse arti, krijimtaria dhe krijuesi ëndërrojnë për një shoqëri njerëzore humane ku virtuti të triumfojë mbi vesin, tipare që ne i gjejmë të mishëruara në përmbajtjen e filmave të asaj kohe.
Skenarët e filmave nuk ishin vetëm pjellë e fantazisë së autorit, por ato dilnin nga një terren i pasur i letërsisë të konsoliduar prej kohësh me autorë në zë.
Utopia, ëndrra, triumfi i së mirës ndaj të keqes, heroi pozitiv, etj janë tipare që i gjejmë në çdo krijimtari artistike të çdo kohe. Kujtojmë veprat e gjenive të letërsisë botërore Hygo, Balzak, Tolstoj, etj.
Filmat e realizmit socialist i kishin këto karakteristika ndonëse në shumë prej tyre futej skematizmi dhe direktivat e partisë.
Edhe sot ato filma pëlqehen sepse ato rrezatojnë humanizëm, mirësi, jetë, gjak dhe puls të një vendi të vogël ballkanik me traditat e zakonet e veta të spikatura. Aty shikohet jeta e njerëzve të thjeshtë të asaj kohe që shpresonin për një jetë më të mirë, përpjekja për të qenë të dobishëm për shoqërinë e re.
Mbase sot, në një shoqëri shumë dimensionale ajo galeri personazhesh duken shumë naivë e ndofta qesharakë, por a s’është naiviteti tipar i një krijimi të mirë?
Në atë kohë për të realizuar një film viheshin në lëvizje shumë hallka.
Së pari, skenarët filtroheshin nga një varg komisionesh e këshillash artistikë derisa ai të merrte një formë të pranueshme për të garantuar një film të suksesshëm.
Më pas një grup i tërë mblidhej për t’u kujdesur për nevojat që duheshin për mishërimin e filmit. Dhe në grupe të tilla mbizotëronte fryma e kolektivitetit dhe përgjegjësia për të bërë më të mirën në çdo repart.
Një aspekt për t’u dalluar ishte zgjedhja e aktorëve dhe këtu ajo kohë kishte përparësi të mëdha sepse aktorët kishin një formim tejet profesional. Shumë prej tyre ishin të lindur për të aktruar dhe vinin nga një përvojë e gjatë në teatrot e shumta nga të gjitha qytetet e vendit, por dhe nga estradat profesioniste, grupet amatore të ndërmarrjeve etj. Më pas Akademia e Arteve formoi brezin e ri të aktorëve të talentuar që ishin zgjedhur pas një seleksionimi të fortë. Asokohe kishte një jetë të pasur artistike dhe kjo favorizonte mbarëvajtjen e kinematografisë si “sintezë e të gjitha gjinive artistike”.
Periudha e xhirimeve zgjaste aq sa duhej për të mos lënë mangut asgjë nga sa parashikohej në skenarin tekniko-regjisorial i cili ndërtohej nga regjisori por me ndihmën e pakursyer të operatorit, piktorit, drejtorit të filmit, grimiorit, kostumografit, rekuizitierit, etj.
Xhirimet e skenave sado të ndërlikuara dhe masive të ishin realizoheshin falë ndihmës së organeve të pushtetit lokal, ndërmarrjeve të mëdha dhe reparteve ushtarake. Në këtë kuptim nuk kishte vështirësi financiare ndaj dhe buxhetet e filmave ishin qesharake.
Teknikat e xhirimit (xhirohej me pelikulë 35 mm) ishin bashkëkohore edhe pse përdorej pelikulë ORWO e marrë nga Gjermania Lindore.
Kur i shikon sot ato filma shumë prej tyre krahasohen me filmat e neo-realizmit italian dhe Francez, me një imazh të pastër, kompozim dhe ndriçim realist e piktoresk. Ngjarja tregohet rrjedhshëm falë një dekupazhi të mirëmenduar dhe një montazhi skrupuloz.
Dhe, të mos harroj, një komponent shumë të rëndësishëm të filmit – muzika. Kompozitorët më të mirë të vendit kishin kënaqësi të formulimin muzikën e një filmi dhe të gjithë e dimë se sa ia rrit vlerat një muzikë e bukur që shoqëron aksionin filmik. Në fondin e krijimtarisë muzikore të kompozitorëve muzika e filmit të një vend të spikatur me origjinalitet, frymë kombëtare dhe harmoni që të mbetet në kujtesë. AktoretShqiptare/UrbanNews.al
Dhe për t’a mbyllur, filmi nuk kalonte në kinema pa u parë nga komisionet paraprake të cilët bënin vërejtjet e duhura për t’a përmirësuar atë.
Siç shihet, filmi ishte produkt i një shoqërie të tërë që ishte e përkushtuar për realizimin sa më dinjitoz të tij e me vlera që t’i qëndrojnë kohës.
A ndodh sot kështu? E pamundur, në një shoqëri ku antivlerat, imoraliteti, vesi dhe dhënia pas parasë janë norma që imponojnë edhe një art banal…



















