Parlamenti Europian i kërkon Shqipërisë përmbushjen e 15 kushteve, para çeljes së negociatave.
Paraditen e së premtes në PE u miratua në parim, amendamenti me 15 kushtet për Shqipërinë.
Ndërkohë në mbrëmje u publikuan rezultatet e votimit në tërësi.
Bëhet fjalë për rezolutën e titulluar “Ballkani Perëndimor”, në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria.
Në parim u votua me 388 vota, ndërsa në mbrëmje kaloi me më shumë vota dhe konkretisht 532 vota pro, 70 kundër dhe 63 abstenim.
Kushtet u vendosën nga Këshilli Europian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës në mars të këtij viti.
15 detyrat e shtëpisë për Shqipërinë
1- Miratimi i reformës zgjedhore
2- Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese
3- Funksionimi i Gjykatës së Lartë
4- Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK
5- Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar
6- Ulje e numrit të azilkërkuesve, ku një nga masat është bashkëpunimi me Holandën, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Irlandën. Vazhdimi i Zbatimit të Planit Ndër-institucional të Veprimit për parandalimin e azil-kërkimit të qytetarëve shqiptarë në vendet e Schengenit
7- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
8- Vazhdimi i Reformës në Drejtësi
9- Prova të vazhdueshme – Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
10- Progres në reformën e administratës publike.
11- Zbatimi i reformës zgjedhore ku përfshihen, financimi transparent i partive dhe administrimi i paanshëm i procesit dhe procesi i rregullt.
12- Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 që kërkon plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
13- Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare ku janë disa VKM.
14- Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit
15- Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave




