Koronavirusi ka prekur pjesën më të madhe të botës. Mijëra viktima janë shënuar dhe akoma më shumë të infektuar. Covid-19 ka prekur edhe Shqipërinë, ku deri tani janë regjistruar 38 të infektuar dhe 1 viktimë.Qeveria ka vendosur nën karantinë vendet ku ka raste me koronavirus. Ndërsa disa zona janë izoluar, frikë dhe panik ka pasur në sytë e qytetarëve.
Dritare.net ka realizuar një intervistë me Mario Ademaj, mjekun e njohur shqiptar, njëkohësisht edhe presidentin e Albanian Internation Medical Team, në SHBA, për të folur për situatën me koronavirusin.

Intervista
Dritare.net: Si është situata në Çikago?
Mario Ademaj: Për momentin situatë në Çikago është stabël. Në Amerikë ka disa pika që po bëhen si qendra epidemike, më shumë në Nju-Jork dhe Kaliforni. Për këtë arsye, presidenti, Donald Trump dje deklaroi emergjencën kombëtare, federale për situatën për koronavirus. Kjo hap shumë fonde dhe shumë materiale për spitale, në çdo zona për t’u përdorur për të luftuar koronavirusin. Por më e rëndësishmja kjo e çon protokollin dhe detyrën e mbrojtjes ndaj koronavirusit, nga shtetet individuale brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, te duart e qeverisë, që të jetë më e koncentruar. Por pak a shumë po behët situata si në Shqipëri. Po rritet paniku te njerëzit, në dyqane po mbarojnë ushqimet, medikamentet etj. Po bëhet pak rrezik për ata njerëz që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme, që u duhen ilaçet, apo gjëra të tjera, sepse popullsia në përgjithësi, edhe ata të shëndetshmit po blejnë gjëra me shumicë, sepse kanë frikë se mos qeveria do të deklarojë se ata duhet të rrinë mbyllur brenda shtëpive për disa kohë. Këto janë teoritë që po shkaktojnë trembjen dhe panikun.

Dritare.net: Ka shqiptarë të prekur nga koronavirusi?
Mario Ademaj: Për momentin, mesa di unë, në Amerikë nuk ka të infektuar shqiptarë me koronavirus. Por dëgjova që para disa ditësh ishte një pacient në Maryland, që kishte ardhur nga Evropa, u mendua se ai person e kishte kontraktuar koronavirusin nga Turqia, por qeveria turke deklaroi se ai ishte në aeroportin e tyre për udhëtim, dhe se i kishte kaluar pushimet në Shqipëri. Mendohet se e ka marrë nga Shqipëria, por siç e dimë virusi mund të merret edhe nga aeroporti prandaj nuk është e konfirmuar.
Dritare.net: Çfarë masash po merren në SHBA për të parandaluar përhapjen e Covid-19?
Mario Ademaj: Një nga meraket tona si komunitet i mjekësisë është që nuk po bëjmë mjaft teste për njerëzit. Deri tani protokolli ka qenë shumë strikt. Sidomos te shteti ynë, këtu në Çikago, ka qenë shumë strikt. Pra testet bëhet vetëm tek individët që kanë simptoma dhe ata që kanë pasur kontakte me njerëz të konfirmuar me koronavirus ose kanë qenë në një zonë epidemike. Por tani, me shpalljen e emergjencës nacionale, më shumë njerëz do t’i nënshtrohen testeve. Besoj që do të ketë një rritje me nivel të lartë për dy javët që do të vijnë, sidomos nëse do të shpërndahet më tej virusi. Por me aksionin agresiv që po ndërmerr Donald Trump bashkë me deklarimin e emergjencës kombëtare, ai ndaloi edhe fluturimet nga Evropa, mund ta mbajmë nën kontroll situatën.

Dritare.net: Në klinikën ku punoni aktualisht ju jeni mjeku lider që po drejtoni punën me koronavirusin. Cili është ritmi i punës suaj?
Mario Ademaj: Ne po mundohemi që të veprojmë si një ditë normale. Çdo spital ka kriteret e tij, sipas rregullave të protokollit të CDC, që është organizata kundër infeksioneve. Çdo spital ka krijuar protokollin e vet sipas rregullave të CDC-së. Roli im te klinika ka qenë për të mësuar dhe përgatitur mjekët. Kam bërë prezantime që të mësojnë mjekët se çfarë të shohin kur bëjnë teste njerëzit dhe si ta menaxhojnë. Varet nga simptomat, nëse janë të dobëta, apo më të rrezikshme, që duhet shtuar në spital për trajtim, deri sa të largohet virusi nga trupi i tij.

Dritare.net: Ju keni ndërmarrë një nismë për të grumbulluar sa më shumë pajisje mjekësore, për t’i ardhur në ndihmë sistemit shëndetësor shqiptar dhe atyre që kanë nevojë. Pse kjo nismë?
Mario Ademaj: Është e rëndësishme sepse sistemi i shëndetësisë në Shqipëri dhe Kosovë është shumë i dobët në krahasim me një shtet standard evropian dhe nëse arrin të transmetohet virusi si në Itali, kjo do të ishte shumë e rrezikshme për shtetet tona, sepse kapaciteti i spitaleve me pajisjet që kanë nuk e përballon dot. Për mua është e rëndësishme sepse dua të përgatitem. Asnjëherë nuk është gabim të përgatitesh, sidomos në një situatë të tillë, kur nuk ka shumë informacione të sakta dhe specifikisht për virusin. Por qëllimi im është që ta përgatis Shqipërinë dhe Kosovën dhe t’i lë në një situatë që mund ta menaxhojnë, ta mbajnë në kontroll dhe ta kalojnë këtë vështirësi, sepse rreziku më i lartë është për këto shtete.

Dritare.net: Ju i keni dërguar një letër OBSH-së për koronavirusin në Shqipëri dhe Kosovë, mund të na tregoni më shumë?
Mario Ademaj: Dje i dërgova OBSH-së një letër për të diskutuar situatën në Shqipëri dhe Kosovë, për t’u përgatitur për koronavirusin. Gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit jam president i organizatës që quhet Albanian International Medical Team, dhe vit pas viti jemi rikthyer në Shqipëri dhe Kosovë. Kemi organizuar disa klinika falas me shërbime, ilaçe, trajtime falas për njerëzit në nevojë. Këto vite, nga çfarë kemi parë ne, sistemet e shëndetësisë në këto shtete funksionalisht nuk ekzistojnë. Nuk kanë mbështetje, nuk kanë pajisje në rast se kalon në nivel alarmi shpërndarja e virusit. Nuk është se mjekët apo infermierët nuk e kanë talentin apo dashurinë për të punuar dhe mbajtur situatën nën kontroll. Unë kam shumë besim te infermierët dhe mjekët, sidomos në kohëra vështirësish si këto, por nuk kam besim te sistemi i shëndetësisë, sepse nga ato që kemi parë është shumë delikate që në qoftë se shpërndarja e virusit arrin ta kalojë kapacitetin, atëherë është një gjendje shumë e rrezikshme, për popullsinë tonë. Kush do të vijë të na ndihmojë në këtë situatë, kur çdo shtet është duke luftuar kundër koronavirusit?

Prandaj mora këtë iniciativë, sepse OBSH-ja ka një komitet dhe një fond emergjence për shtetet si Shqipëria dhe Kosova, që mund të na ndihmojnë jo vetëm me mbështetje nga fondet, por edhe materiale, pajisje, maska, specialistë. Shqipërisë dhe Kosovës këto i duhen për momentin. Gjithashtu kemi mbledhur disa statistika nga pacientët që kemi trajtuar në klinikat falas gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit dhe problemi është që Shqipëria dhe Kosova kanë një nivel të lartë të sëmundjeve kronike si: diabeti, tensioni i lartë, sëmundja e zemrës, e mushkërive. Këto vijnë nga fakti që pimë shumë duhan, alkool dhe ka mungesë të shërbimeve të sistemit të mjekësisë, në përgjithësi, sidomos në parandalimin e sëmundjeve. Kjo e vë popullsinë në rrezik, sepse koronavirusi, nuk është shumë agresiv për personat që janë të shëndetshëm dhe të rinj. 80% e njerëzve e kalojnë me simptoma të dobëta, por 20%, sidomos ata që kanë probleme kronike, janë në rrezik për jetën. Pyetja nuk është a do ta kalojmë këtë situatë, apo a do ta kalojmë këtë virus, sepse është e sigurt 100% që do ta kalojmë. Por pyetja është sa jetë do të humbim nga kjo luftë. Dhe për këtë arsye duhet të marrim disa aksione agresive, të tregohemi shumë agresivë për përgatitjen. Me nivelet e larta të problemeve ekonomike që kemi, është shumë e rëndësishme që të bëjmë çdo gjë të marrim çdo masë për t’u përgatitur, për t’u çuar spitaleve, mjekëve, infermierëve, mjetet që u duhen, edhe për ata që mos sëmuren. Në Itali për shembull mbi 1 mijë të infektuar janë mjekë e infermierë. Nëse na ulet edhe më shumë personeli për të trajtuar dhe ndihmuar njerëzit, atëherë rrezikohet edhe më tepër Shqipëria. E dimë që ka shumë mungesë. Unë personalisht besoj se do ta kemi në kontroll, sidomos nëse njerëzit zbatojnë rregullat e protokollet e qeverisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetit.

Dritare.net: Mesazhi juaj për mjekët dhe qytetarët shqiptarë?
Mario Ademaj: Çdo njeri do të ketë rolin e vet për të luajtur në këtë situatë tepër serioze, për të luftuar koronavirusin së bashku. Jam shumë optimist që do ta kalojmë këtë situatë. Njerëzit që më njohin, e dinë që jam shumë pozitiv, por nga ana tjetër jam dhe mjek. E kam për detyrë të tregoj realitetin dhe të përgatitem që ta luftojmë dhe mos arrijmë në një situatë serioze. Njerëzit të përdorin logjikën për të analizuar çfarë po lexojnë në internet, në rrjete sociale dhe mos shpërndajnë informacione false. Gjysma e luftës është nga ana e mjekësisë dhe gjysma nga populli që mos të përhapë panik. Nuk po them që nuk duhet të kemi shumë kujdes, duhet të jemi alertë, por jo të panikuar. Sepse në asnjë situatë, kurrë nuk të ndihmon paniku për ta kaluar. Politikanët dhe qeveria kanë rolin e tyre. Ata duhet të jenë shumë të hapur me komunikimin me OBSH-në dhe shqiptarët. Duhet të jenë të qartë me komunikimin, të marrin aksion agresiv dhe t’i lënë interesat personale dhe politike anash, të bashkëpunojnë për ta luftuar këtë virus. Edhe mjekët dhe personelet mjekësore që po shërbejnë në Shqipëri dhe Kosovë, duhet të vazhdojnë punën e tyre. Ajo që duhet t’u them atyre është që të kenë kujdes për veten. Të mos bëhen si heronj dhe të shkojnë të trajtojnë pacientë pa pajisje mbrojtëse, maska, dorashka. Në qoftë se infektohen ata, bëhen më shumë rrezik sesa ndihmë për popullsinë tonë. Prandaj duhet të tregojnë shumë kujdes, me qetësi, zgjuarsi, me komunikim të pastër me pacientin dhe departamentin e shëndetësisë. Nëse të gjithë luajmë rolin tonë dhe bashkëpunojmë do ta kalojmë pa frikë. Për këtë jam shumë optimist, në të njëjtën kohë dhe realist./dritare.net
https://www.facebook.com/portali.dritare/videos/228360895232096/