Komiteti Teknik i Ekspertëve për COVID në vendin tonë, në një deklaratë për mediat bëri me dije se të gjitha masat e marra deri me tani kundër pandemisë do të vijojnë pa afat.
Zv. ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka paralajmëruat se nëse situata do të përkeqësohet do të ashpërsohen masat kufizuese. Zv. ministrja përjashtoi mundësinë e një propozimi të mbylljes totale të fundjavës.
“Komiteti i Ekspertëve mori vendimin unanim për t’i vijuar këto masa. Ndalohen tubimet, konferencat, ceremonitë e festave dhe ato mortore. Do vazhdojë të jetë në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00. Do të kufizohet në këto orare edhe puna në Fast-Food. Universitetet do të vazhdojnë online, administrata do të punojë online, ndërsa shkollat me mësim të alternuar. Këto masa do të vijojnë për një periudhë pa afat”, – tha Rakacolli.
Ndërkohë shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini është shprehur se gjatë javës së fundit është vënë re një ulje e rasteve të reja me Covid.
“Vendi po përballet me një valë të lartë. Vetëm javën e fundit është vënë re një tendencë në ulje të rasteve pozitive përsa u përket infektimeve me Covid. Qarku që mban peshën më të madhe është Tirana, Gjirokastra dhe Lezha. Duhet të theksojmë dhe një element të rëndësishëm se java e fundit ka treguar një ndikim tek ulja e shifrave”, deklaroi ajo.




