Në kushtet e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19, AKEP propozon nëpërmjet një udhërrëfyesi sjelljen dhe gjestet e nevojshme në përditshmëri për të siguruar vijimësinë dhe sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike.
Udhërrëfyes praktik për qëndrueshmërinë digjitale
Në kushtet kur puna në distancë është kthyer në prioritet për shumë nga ne dhe shkollat e kanë kthyer mësimdhënien e të gjitha grupmoshave online, lind pyetja: A do të munden linjat e internetit fiks dhe celular të përballojnë këtë ngarkesë?
Operatorët celularë dhe ato të rrjeteve fikse të shërbimit Internet, janë në punë dhe në gatishmëri të plotë, për të siguruar mirëfunksionimin, në shërbim të jetës dhe ekonomisë së vendit. Megjithatë, vetë ne, përdoruesit, mund të ndërmarrim një sërë veprimesh për të siguruar mbarëvajtjen e shërbimit të Internetit. Më poshtë mund të gjeni një udhërrëfyes të thjeshtë për t’u orientuar në lidhje me sjelljen tonë digjitale në këto ditë të vështira.
Mbingarkimi dhe keqpërdorimi i rrjetit të komunikimeve elektronike – çfarë rrezikojmë?
Shumë njerëz, këto ditë, po zhvendosen në botën digjitale teksa jeta jashtë shtëpisë është e pamundur. Ky fakt po vështirëson detyrën e sipërmarrësve të komunikimeve elektronike për të mbajtur lidhjet në parametrat e kërkuara.
Angli, Francë, Itali dhe vende të tjera javët e fundit, njerëzit e mbërthyer në shtëpitë e tyre po përdorin internetin shumë më tepër. Vizitat në faqet e lajmeve u rritën deri në 60%. Një model i ngjashëm po shfaqet edhe në SHBA. Trafiku në internet u ngrit me 40%, pasi Presidenti Trump e shpalli pandeminë një emergjencë kombëtare. Në Angli, për shkak të mbingarkesës, në datën 17.03.2020, rrjetet e 5 operatorëve celularë, u bllokuan për rreth 5 orë, duke i lënë abonentët e tyre pa shërbime telefonike dhe interneti.
Mbingarkimi apo bllokimi i rrjeteve celulare dhe atyre fikse nga përdorimi masiv dhe i njëkohshëm, mund te shkaktojë kufizime kolektive dhe individuale ne përdorimin e gjithsecilit, te tilla si:
- a) Ndërprerjen e telefonatave, ose pamundësi të kryerjes së tyre. Pra, nuk do të kishim mundësi të kryenim as të telefonata drejt numrave të emergjencës 127 dhe 112.
- b) Pamundësi përdorimi të internetit, ku për pasojë secili prej nesh nuk do të mund të përdorte:
– sistemet online për pune nga shtëpia;
– sportelet e shërbimeve online si e-Albania, QKB, etj.
– aplikacionet online si Whatsapp, Viber, Youtube, etj.
– aplikacionet e bankave për pagesat online;
– aplikacionet për video konferencat;
– faqet informative të internetit;
– programet televizive qe mundësohen nga interneti;
– video lojërat online; etj.
Në veçanti, rrjetet mobile mund të shfaqin më shumë probleme të mbingarkesës.
Kjo për dy arsye kryesore: numrit shumë të madh të abonentëve të tyre që i përdorin njëkohësisht për internet dhe kapaciteteve të antenave celulare, të cilat gjithmonë kanë një limit në numrin e pajtimtarëve që mund tu shërbejnë njëkohësisht.
Si të shmangim problemet?
Disa nga aktivitetet që ndikojnë në reduktimin e shpejtësisë së internetit, janë:
Shumë pajisje të lidhura në të njëjtën kohë me internetin, si laptopë, kamera, telefona celularë, etj.
Shikimi apo shkarkimi i filmave dhe videove me rezolucion të lartë, shkarkimi i materialeve të mëdha, luajtja e lojërave online, video konferencat, etj.
Lidhja e pajisjeve që mundësojnë kanalet televizive nëpërmjet internetit (të njohura si IPTV, OTT, etj).
Shumë pajisje të lidhura vetëm në rrjetin valor të pajisjes tuaj në shtëpi, që quhet ndryshe si WiFi. Për të mos rënduar WiFi, këshillohet përdorimi i portave fizike që ka pajisja juaj në pjesën e pasme të saj. AKEP ju paraqet më poshtë disa udhëzime dhe këshilla teknike të vlefshme gjatë përdorimit të internetit.
AKEP ju paraqet më poshtë disa udhëzime dhe këshilla teknike të vlefshme gjatë përdorimit të internetit.
Optimizoni cilësinë e valëve (Wi-Fi)
Vendosni pajisjen tuaj WiFi në shtëpi në një pozicion ku valët e saj të mbulojnë sa më mirë gjithë banesën tuaj. Pengesat si sipërfaqet metalike apo muret e trasha, e ulin ndjeshëm mbulimin me valë dhe shpejtësinë e lidhjes ne internet. Distancat midis pajisjes tuaj WiFi dhe pajisjeve që lidhen me të, duhet të jenë sa më të shkurtra. Përdorni WiFi vetëm për pajisjet që e kanë të pamundur lidhjen fizike me kabëll ethernet me modemin të tilla si telefonat smart dhe tabletat në mënyrë që të ruani kapacitetet dhe performancën e modemit tuaj.
Ç’aktivizoni gjithë shërbimet streaming dhe mbyllni pajisjet audiovizuale të lidhura me modemin tuaj kur nuk jeni duke i përdorur ato sepse vazhdojnë të përdorin lidhjen tuaj të internetit në mënyrë pasive. Mbani të përditësuar modemin tuaj WiFi por dhe antivirusin tuaj, driverat e firmëare e pajisjeve tuaja si dhe aplikacionet nga të cilat aksesoni dhe përdorni internetin tuaj. Mbas çdo sesioni pastroni cachen dhe cookies. Mos harroni të ristartoni modemin tuaj herë pas here sidomos kur konstatoni një ngadalësim të ndjeshëm të lidhjes me internetin.
Shmangni ose ulni përdorimin e internetit në orët e pikut: 19:00-23:00
Shpejtësia juaj e lidhjes në internetit mund të ulet në orët e pikut, pra kur shumica e abonentëve të një ISP-je hyjnë njëkohësisht në internet dhe përdorin shumë kapacitet duke shkarkuar filma, video, etj. Sugjerojmë të evitoni aktivitete digjitale të cilat konsumojnë një sasi të konsiderueshme DATA (shkarkimi i skedarëve të mëdha, lojrat online, video dhe filma me rezolucion të lartë, etj.) gjatë orëve të pikut 19:00-23:00.
Përdorni rrjetet celulare si alternativë
Një mundësi shumë e mirë për lidhjen e kompjuterit tuaj në internet, është edhe përdorimi i telefonit dhe/ose tabletës tuaj smart. Të gjithë telefonat dhe tabletat smart të lidhur në rrjete celulare 4G lejojnë të shpërndani internetin nga pajisja në kompjuterin, tabletin apo telefonin tjetër smart, duke aktivizuar një funksion që quhet “Hotspot” (pikë shpërndarje).
AKEP ju sjell në vëmendje se përdorimi i gjatë nëpërmjet kësaj linjë/mënyre, do t’ju konsumojë sasinë GB internet të paketës tuaj në celular. Ju sugjerojmë të kontrolloni herë pas here sasinë GB të mbetura nga plani juaj tarifor dhe të tregoheni të kujdesshëm që këtë opsion ta ndiqni vetëm kur vërtët është e nevojshmë.
Përdorni rrjetin virtual privat
Për përdorimin e shërbimeve të cilat duhet të përdoren nga jashtë mjedisit të punës, rekomandohet përdorimi i rrjetit virtual privat (VPN), nëse punëdhënësi juaj e ka lejuar këtë dhe jua ka dhënë këtë të drejtë. Në këtë rast, për një lidhje të sigurtë dhe pa shkëputje, rekomandohet përdorimi i kabllit tuaj Ethernet, i cili lidh kompjuterin tuaj me modemin tuaj të internetit.
Siguria në Internet: Të qëndrojmë gjithmonë të vëmendshëm!
Gjatë ditëve të fundit nëpërmjet postës elektronike dhe disa faqeve të internetit, njerëz keqdashës, po premtojnë informacione si të jemi të sigurtë nga pandemia e krijuar nga virusi Covid-19. Këto premtime janë mashtrime, pasi keqdashësit i përdorin këto mënyra për të vjedhur fjalëkalimet dhe të dhënat personale. Për tu mbrojtur nga këto mashtrime, AKEP ju këshillon të mos hapni emailet me titull/përmbajtje të dyshimtë apo ato që ju vijnë nga adresa email që nuk i njihni, si dhe të bëni përditësimin e Antivirusit që jeni duke përdorur në kompjuterin tuaj.
Informacion të saktë dhe të sigurtë ju mund të merrni në faqet e internetit të Institucioneve Shtetërore që trajtojnë problemin e Covid-19, siç është faqja e Ministrisë së Shëndetësisë www.shendetesia.gov.al dhe Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSH) www.who.int
Potencialet e Internetit fiks dhe limitet e tij
Interneti nga rrjeti fiks është më i rekomandueshëm për përdorim. Kjo për disa arsye:
- Rrjetet fikse të ditëve të sotme përbëhen kryesisht nga fibrat optike dhe kabllo të tjera, të cilat mundësojnë në shtëpitë tona shpejtësi shumë të larta interneti. Këto lloj rrjetesh përballojnë ngarkesa shumë më të mëdha interneti se rrjetet celulare.
- Rrjetet fikse kanë përparësinë e zgjerimit të kapaciteteve më lehtë se rrjetet celulare. Për shembull nëse në një kompani ISP, një pajisje rrugëtuese informacioni fillon ngarkohet, kjo kompani instalon shumë shpejt një pajisje tjetër për përballimin e ngarkesave.
Shërbimet bazike utilitare qe duhet te mirë-funksionojnë ne çdo rast
Në rrjetet celulare dhe fikse, shërbimet bazike dhe utilitare që duhet të funksionojnë në çdo rast, janë:
- Shërbimi telefonik. Njerëzit në çdo moment duhet të kenë mundësinë e kryerjes së thirrjeve telefonike minimalisht thirrjet drejt numrave të emergjencës 127 dhe 112, thirrjet drejt Policisë 129, thirrjet drejt numrit të zjarrfikëses 128 dhe thirrjet drejt numrave fiks ose numrave të gjelbër (0800) të institucioneve shtetërore.
- Shërbim interneti për sistemet online brenda vendit. Kompanitë ISP duhet të garantojnë ndërlidhjen e sistemeve online brenda Shqipërisë, në mënyrë që të mund të, përdoren nga të gjithë qytetarët.
Burimi: http://pcworld.al/