Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e tretë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 3.81 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2018.
Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto vlerësohet me një rritje prej 1.70%.
Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi PBB-në, sipas të cilit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me 1.25%.
Degët arsimi dhe shëndetësi kontribuuan me 0.71%, ndërsa industria, energjia dhe uji kontribuuan me 0.67
Sipas INSTAT, negativisht kontribuuan aktivitetet e arteve, argëtimit dhe çlodhjes, ndërtimi me 0.10% si dje komunikacioni me 0.02%.
Nga viti 2013, deri në vitin 2018, ekonomia e vendit u zhvillua me ritme pozitive dhe me një trend në rritje.
Rritja ekonomike arriti nga 1% në vitin 2013, në 4.1%në vitin 2018. Edhe gjatë vitit 2019, ekonomia vijoi rritjen pozitive, por me një ritëm më të ulët se vitet e mëparshme.
Sipas parashikimit të Ministrisë së Financave, ritmi i rritjes reale të PBB këtë vit pritet të jetë 3-3.5%.
Rritja ekonomike është gjeneruar kryesisht nga zgjerimi i kërkesës së brendshme, si rezultat i rritjes së konsumit dhe investimeve./a.gjonaj/j.p/




