Autoritetet doganore italiane kanë sekuestruar 220 kartëmonedha false me prerje 50 euro në një autobus të linjës Shqipëri-Itali. Sipas raportimit të mediave italiane, autobusi ishte nisur nga porti i Durrësit dhe ka mbërritur gjatë mbrëmjes së djeshme në portin e Barit.
Gjatë kontrollit të policisë kufitare janë gjetur 220 kartëmonedha të falsifikuar me prerje 50 euro. Dy shoferët e autobusit, shtetas shqiptarë, përkatësisht të moshës 63 e 37 vjeç, janë denoncuar dhe vënë nën hetim në gjendje të lirë.
Autoritetet italiane kanë nisur një proces hetimor për të zbardhur kanalin e prejardhjes së kartëmonedhave si dhe të destinacionin e tyre në treg. Shuma e kartëmonedha false është 11 mijë euro. Kartëmonedha nuk kanë fillin e filigramës e pllakën holografike.
Dy shqiptarët nën hetim nuk janë të skeduar nga autoritetet italiane. Kujtojmë se pak ditë më parë dy shoferë të tjerë shqiptarë të linjës së autobusit Shqipëri-Itali u kapën ndërsa transportonin 196 karta identiteti të vjedhura kohë më parë nga një zyrë e gjendjes civile në një komunë italiane.



