Këtë përgjigje tregon se i ka dhënë ish-udhëheqësit komunist, autori, poeti i njohur i teksteve të këngëve popullore te jugut, kryesisht të Bregut,” Nder i Kombit”, Lefter Çipa, ndërsa ai i kërkoi që të ndryshonte një varg të këngës së tij. “Ah djalosh, qënke i patundur, por i talentuar, – më tha dhe më përqafoi…”. Sipas tij, “polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar”.
“Është si një grua e bukur, që akoma nuk ka arritur të bëhet e jotja, ta shijosh. Polifonia është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot”, pohon ai… “Polifonia është si mushka. Të qëllon me shkelma, nëse nuk di ta zotërosh atë. Duhet të të hyjë në gjak e deje. Ta duash me gjithë shpirt. Polifonia është shpirti i ditës dhe zëri i natës…”(Botuar në të përditshmen “Albanian Free Press”)
Nëse doja të rriktheheshit disa dekada pas, në retrospektivë çfarë do të kujtonit nga vitet e fëmijërisë dhe rinisë suaj ?
Padyshim që çdo njeri, i rrikthehet viteve të fëmijërisë dhe rinisë së tij. Kjo trokitje malli më zgjon shpesh,duke më kujtuar vendlindjen time, Pilurin midis maleve, ajrit të freskët dhe gjelbërimit të përhershëm. Kam qenë zog me krah. Më pëlqente tringëllima e veçantë e kopesë së deleve, fyelli që nisa ti bija qysh në moshën tetë vjeçare. Ndnjenja në fluturim, gjaku nëpër deje,cilësi të cilën e zotërojnë vetëm muzikologët dhe etnologët.
Përse ju pëlqente melodia e fyellit?
Sepse në këtë instrument gërshetohen të gjitha zërat e natës. Edhe yjet, hëna,ndriçimi i saj,oshëtima e valëve të detit,janë pjesë e zërave të natës.
Në prag të bashkëbisedimit tonë,këtu në ballkonin e shtëpisë suaj,ku thurren këngët,mësova se ju interpretoni si vyrtuoz në disa instrumenta muzikore.Eshtë e vërtetë?
Po unë jam rritur me tingujt e instrumentave tradicional popullor fyelli, cula dyjare,bibëzat,duke mos harruar kurrësesi instrumentin magjik të pianos, për të cilën kam studiuar në shkollën e muzikës në Tiranë.
Sa kanë ndikuar tek ju këto instrumenta si poet dhe autor i qindra teksteve të këngës polifonike, dhe muzikës së lehtë?
Natyrshëm çdo njëra prej tyre,hyn në gjakun tim, në shoqërinë e përjetshme të fërshfërimës së valëve të detit që kam në prag. Ato vijnë e ulen pranë meje mbi tavolinën e punës, hyjnë brënda shpirtit tim, duke bërë që unë të harroj gjithçka. Futem thellë brënda tingullit, muzikës, vargut,legjendës. Duke ndjerë çdo frymarrje, bëhem pjesë e këtyre instrumentave.
Ç’do të thotë të jetosh me artin?
Arti është qielli, ajri, toka,deti…gjithçka. Arti mbart egoizëm, rivalitet midis grupeve, por në anën tjetër ka forcën madhore. Kur krijimtaria është e vërtetë, e arritur në mendim, ide dhe e lartësuar artistikisht, me kolegun të bënë një familje. Kjo përbën forcën e brëndëshme,midis autorit të tekstit, kompozitorit dhe këngëtarit.
Mendoni se ekzistenca e këtij trinomi ofron arritjen e suksesit të një kënge?
Virgjërimi i vjershërimit,zgjon kompozitorin nga gjumi, për të hedhur notat në pentagram. Këngëtari dashuron atë që kurrë nuk e kishte menduar se do dashuronte autorin e vjershërimit të këngës. Ky trekëndësh solid, krijon pirustin qiellore në art.
Si erdhi kënga e parë krijuar nga ju?
Kompozitori i njohur vlonjat Themistokli Mone, vite më parë drejtues muzike në pallatin e kulturës në Vlorë, në prag festivali më kërkoi të shkruaja një tekst kënge.E shkruajta në kohën e duhur,të cilën e titullova “Thëllëzat që hedhin valle”. Bashkëpunimi ynë vazhdoi në vite ,ku mund të them se mbi tetëdhjetë përqind e këngëve vlonjate ,njohin si autor Lefter Çipa.
Cila ishte kënga juaj e parë, e cila jo vetëm mori pjesë në festival, por madje meritoi çmimin e parë në festivalin kombëtar folklorik në Gjirokastër?
A mund të harohet gëzimi i lindjes të fëmijës së parë!? Kështu ndodhi në këtë festival, me këngën “Tundu bejkë e bardhë tundu”, e cila u kurrorrëzua me çmimin e parë. Kjo këngë u vlerësua nga kritikë të artit tonë dhe të huaj, duke e cilësuar atë si lajmëtare e evolumit të polifonisë shqiptare. Ndërkohë Enver Hoxha, i pranishëm në festival, e quajti këtë këngë, sinfonia e polifonisë shqiptare.
Pretendoni se keni qenë i privilegjuar?
Absolutisht jo.Kam sakrifikuar jo pak në jetën time, për të mbritur në këtë lartësi ku unë ndodhem sot. Kam patur mjaftë raste kur ministra kulture dhe drejtues të partisë, hynin në këngën time,madje më diktonin të hiqja këtë apo atë varg.Jo pak herë kam sakrifikuar,kam hedhur valle në shpatën me dy presa.
Profesor,si mund të kuptojmë se ju keni hedhur valle me dy presa që posa u shprehët?
Dëgjo miku im.Në vitin 1974,me rastin e tridhjetë vjetorit të çlirimit,midis fjalëve të mira dhe urimeve,për këngën që unë kisha krijuar në një tjetër festival dhe i vlerësuar sërish me çmim të parë,u takova për herë të parë me Enver Hoxha,i cili më thotë: “Djalosh më pëlqeu shumë kënga,por do të ishte mirë të ndryshoje një varg”. Patjetër që u ndodha ngushtë.Gjithësesi i thashë: “Unë e hoqa shoku Enver, por nuk e hoqi historia.”Ah djalosh qënke i patundur, por i talentuar, dhe më përqafoi.
Si jeni ndier kur mjaftë këngë të krijuara nga ju, jo vetëm mirëpriten nga ansamble e grupe polofonike brënda e jashtë vendit, duke mbetur të admirueshme nga mjaftë kompozitorë të muzikës së lehtë?
Duke mos harruar kurrësesi bashkëpunimin e shpeshtë me grupe polifonike të sofrës së këngëve të jugut,dhe Bregut si Piluri,Himara, Saranda, Tepelena, Gjirokastra,Vlora deri në Mallakastër.Shpesh shkoja në Tiranë i ftuar nga kompozitorët Çesk Zadeja,Haxhi Dalipi,Aleksandër Lalo, Alekandër Peçi, Josif Minga, Alfred Kaçinari, e të tjerë,ku krijimtaria ime bëhej pjesë e kompozimeve të tyre në festivale të ndryshme. Kompozimet vyrtuoze të këtyre kompozitorëve,i këndonin Mentor Xhemali, Vaçe Zela,Gaqo Çako,Irini Qirjako, Katerina Beleri, Dhimitër Varfi,Eli Fara,Hysni Zela,trioja e këngës qytetare vlonjate Reshat Osmani, Melia Doda dhe Kostandin Thano.
Çfarë është për ju polifonia shqiptare?
Polifonia shqiptare,njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar,për ta puthur,për ta dashuruar. Nëse nuk e kërkon, nuk arrin ta gjesh dot. Eshtë si një grua e bukur, e cila akoma nuk ke arritur të bëhet e jotja, ta shijosh. Polifonia është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot. Kam bashkëpunuar me kolegë e këngëtarë të polifonisë. Do të thosha se Dhimitër Varfi, Katerina Beleri, Irini Qirjako, Arjan Shehu, Paro Ziflaj, Jakup Goliku, Rexhep Abazi, Syrja Hodaj, Hysni Ymeri ….mbeten gjithçka e polifonisë shqiptare.Pa këta bilbila,polifonia shqiptare do të ishte e gremisur,shkretëtirë. Duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Polifonia është si mushka.Të qëllon me shqelma,nëse nuk di ta zotërosh atë.Duhet të hyj në gjak e deje.Ta duash me gjithë shpirt. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës.
Përse kënga himariote të drithëron?
Sepse brënda saj ,ndodhet mbretëresha që e këndon mbi fronin e saj. Me zërin e saj, i zbret perënditë mbi tokë. Kënga“Vajzë e Valëve”,ka lindur për të mos vdekur kurrë. Këngës himariote, nuk i dihet dita e lindjes, dhe kur nuk i dihet datëlindja, mos u mendo, mos u frikëso,sepse ajo mbetet gjallë në breza.
Pilurin e cilësoni perandori të krijimeve tuaja. Përse?
Jeta ime e hershme në fshatin Pilur,është dhuratë dhe fat. Ndonëse prej dekadash, ndodhem në këtë shtëpi, ku himara shfaqet si në pëllëmbë të dorës, në qerpik deti,Piluri është vendi i fëmijërisë dhe rinisë time. Eshtë dielli,ajri, kënga ime, çka do të thotë se unë anjëherë nuk jam larguar prej tij.
Dy lebër befasojnë krijuesit në mbarë botën, Albert Zholi me mbi 1400 intervista dhe ju me mbi 1250 tekste këngësh. Si ndodh kështu me ju lebër?
Më vjen mirë që djaloshi posa përmëndët, është lab dhe ka arritur të vlerësohet brënda e jashtë vendit.Unë ende shkruaj duke menduar që kam akoma rrugë për të bërë. Dua të them se në krijimin e çdo kënge, vendos shpirtin tim. Ato janë me qindra,duke…Lundruar në lundrën e këngëve të mia. Por do të veçoja ato me aromë suksesi e medalje ari si :“Naim Shqipëria”,“Tundu bejkë e bardhë”,“Për Kosovën prapë do ngrihem”,“O shokë Vdeksha nga kënga”,“Këngët e atdheut tim”, “Shqipëri flakë dyfeku”. “Kënga tret lotin”etj.
Ndoshta është kjo arësyeja që mjaftë prej tetëmbëdhjetë librave tuaj të botuar, janë pagëzuar me titujt e këtyre këngëve?
Po.Mjaftë prej librave të mi me poezi e tekste këngësh, mbartin aromën e këngëve të kënduar nga individ e grupe të ndryshme polifonike ,duke mos harruar kurrësesi Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Secili prej këtyre librave mbetet pjesë e jetës time. Në rrugëtimin tim gjashtëdhjetë vjeçar më është dashur të punoj me pasion dhe si krijues,me lëvrimin e studimit të këngëve të popullit dhe trashëgimin shpirtërore të saj.
Fjala mirëseardhët nga ju dhe pjestarëve të familjes suaj,i përket mjaftë miqve, artistëve,vizitorëve që vijnë e takohen,shmallen e bisedojnë me Ju. Në këtë shtëpi nga Italia erdhi mbesa e Ismail Qemalit, Ermin Vlora,enkas për tju takuar juve.Cili ishte motivi kësaj vizite?
Shkak për ardhjen e saj padyshim u bë piktori i njohur vlonjat, Petrit Ceno,i cili prej vitesh jeton në Kalabri. Ai është njohës i afërt i krijimtarisë time, çka bëri që pas një bisede dhe takimeve me Ermin Vlora, të rekomandoj atë për të vizituar shtëpinë time. Ajo erdhi e shoqëruar me mikun tim të hershëm profesor Bardhosh Gaçe. Pa tjetër që u lumturova. Madje e ndihmova duke i dhuruar gjashtëdhjetë e shtatë këngë ,kushtuar në vite figurës dhe veprës të Ismail Qemalit,të cilat unë i kisha grumbulluar dhe i mbaja në shtëpi për qejfin tim. Me emocion e çaste mbresëlënëse ,ajo më falenderoi për këtë dhuratë kaq të çmuar.
Profesor. Muajin e ardhshëm në 14 Shkurt, ditën e Shën Valentinit, ju mbushni shtatëdhjetë e tetë vite të jetës suaj dhe sërish e sërish shkruani. Ku e gjeni burimin e forcës dhe frymëzimit?
Veçse te shpirti. Më mjafton të flë vetëm katër orë dhe njëzet orë të tjera, duke krijuar, gërmëzuar vargje, tekste të reja këngësh.
Përse jeni dashuruar pafundësisht me këngën labe?
Po unë jam lab.Jam nga Piluri i këngëve brilante,i cili quhet ndryshe “Ballkoni i Rivierës”,sepse shtrihet në lartësinë e tetëqind metrave mbi nivelin e detit. Pilur do të thotë shteg malesh ,flokë dëbore.Populli i këtij fshati mbart cilësi të vyera që ka vet labëria. Jam përkundur e rritur me ninulla të këngës labe. Ajo është tërësishtë epike, çka do të thotë se nuk mund të jetoj dot pa cituar vargun e trimërisë dhe heroizmit.Ai që s’ka këto cilësi në labëri ,do të jetë një hiç.
Kudo keni miq e shokë, kolegë e dashamirës, por më të afërt mbeten poetët dhe shkrimtarët. Çdo të thoshit për ata në këto momente?
Kam patur fatin e mirë të studioj letërsinë shqipe, madje të njhem nga afër me krijues të njohur. Me respekt shpirtëror, respektoj Dritëro Agolli,të preferuarin, mikun tim në vite. E konsideroj një Naim të dytë. Po kështu Ismail Kadare, në veçanti në arenën ndërkombëtare, nuk e zvogëloj dot. Vlerësoj në çdo moment mikun tim të veçantë, Petro Marko,i cili shpesh pohonte se ne jemi shqiptarë dhe jo grekë në këtë kohë me mjegull. Natyrisht Nolin e lartëson vepra e tij,si poet, shkrimtar,përkthyes në disa gjuhë,muzikant i njohur.
Në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare,Noli shkruajti poezinë e tij të fundit, kushtuar të dashurës së tij njëzet e pesë vjeçare. Kjo poezi e cila sot ndodhet në dorëshkrimet e tij, por që nuk u botua për shkak se Faik Konica do ti kundërvihej. E respektoj Fan Nolin,për të gjitha vlerat që ai mbart.
Katër vjet nga ikja e kompozitorit tonë të shquar Aleksadër Lalo.Në ditën e lamtumirës së tij,duart juve nuk ju bindeshin për të shkruar. Mbeti kjo ditë për ju një dhimbje e veçantë?
Ishte ditë, e cila më mbushi më dëshpërim shpirtin tim. Për vdekjen e mikut tim,atë ditë zije,ndenja duke pirë cigare. Mendohesha,ku bashkë me dëshpërimin mu ngrenë supet përpjetë.Një dukuri shpirtërore është dita që miku i shpirtit tim Lalo,u përcoll me borë në majat e maleve. Sërish ai vazhdon të jetë mes nesh, me kompozimet e tij të shkëlqyera.
Jeni vlerësuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”,me titullin“Mjeshtër i Madh”,“Nderi i qytetit”për qytetet Gjirokastër,Himarë. Mbani urdhërin e klasit të parë, të dytë, të tretë“Naim Frashëri”të Artë. Jeni cilësuar“Princi i Polifonisë Shqiptare”. Cilën prej këtyre vlerësimeve të lakmueshme për këdo, përmëndni më shpesh?
Janë vlerësime, të cilat më obligojnë për tu përkushtuar më shumë kauzës time mbi 60 vjeçare të këngëve të popullit tim. Pa tjetër që u jam mirënjohës njerëzve anë e kënd shqipërisë,të cilët më respektojnë kudo. Padyshim, vlerësimi që mua më rri më përshtat, është ai i dekorimit tre herë ,tre shkallët me çmimin :”Naim Frashëri “ të Artë .
Si ndjeheni, kur krah jush, vështroni djalin tuaj Sandrin, poet dhe prej vitesh, kryetar i Unionit të gazetarëve në shqipëri dhe nipin tuaj poet dhe eseist, Akri, i cili tashmë ka përfunduar studimet në Nju Jork dhe është kthyer sërish në Tiranë?
Patjetër ndnjej krenari të brëndëshme.Eshtë krijimtari e tre brezave nga e njëjta familje. Mendoj që, ashtu si unë, Sandri dhe nipi im Akri, i përuelmi me respekt madhështisë së shqipërisë. Duke krijuar e luftuar sërish i mbetemi borxhli popullit. Pa dyshim krijime të reja do të lindin tek të tre ne, në çdo kohë pasi janë indet, shpirtërat tanë që krijojnë.
Profesor. Në njërin kënd të tavolinës këtu në ballkonin e luleve, ku jo më shumë se 100 metra larg, valët e kaltra të detit përkdhelin bregun e Himarës, shohim disa vargje, ku tek tuk vështrimi juaj rëshqet mbi to. Çfarë motivi mbartin ato?
(Profesorit i çel fyytyra ) I kam shkruar herët. I vështroj, bashkëbisedoj me to, pasi aty sikur jam në Pilurin tim , në Pilurin e këngës.
O shokë vd.eksha nga kënga,
Në një ditë Prilli a Maji,
Kur ja thotë bukur thëllëza,
Në këngë të kthehet vaji.
Vd.eksha dhe prap u ngrefsha,
bilbilat e Pilurit, në këngë i gjetsha…
( në çast profesorit i shfaqen lehtë në sy, perde loti )
Faleminderit profesor për mikëpritjen, bashkëbisedimin tonë si të ishim miq të hershëm. Mos u lodhshin kurrë duart, për të krijuar vargje të reja për këngët e popullit, përherë të freskëta , të bukura si lule Maji.
Juve ju faleminderit, që erdhët nga matanë Oqeanit, për të zhvilluar këtë intervistë me mua. Mirë ardhsh sërish këtu në Himarë, do pijmë sërish nga rakia e Pilurit. Udhë të mbarë … mik! kane thene per Lefter Çipa.
Dritëro Agolli:“Nder i Kombit”
Në dejet dhe indet e tua, rrjedh kënga, dhe unë ende nuk e di. Në trupin tënd gjaku ka lindur më parë, apo kënga ?
Xhevahir Spahiu: “ Nder i Kombit”
Në brigje himariote, rron dhe këndon bardi popullor Lefter Çipa, më i madhi ndër të gjallët dhe ndoshta i fundit me hove dhe shkëndijime të reja të ligjërimit popullor.
Irini Qirjako:“Mjeshtre e Madhe”
Jo vetëm në skena e festivale,por kur jam dhe në shtëpi,për qejfin tim,këndoj këngë të krijuara nga Princi i polifonisë shqiptare Lefter Çipa. Pa dyshim këngët madhore“Tundu bejkë e bardhë tundu”,“28 mijë yje”,“Këngët e atdheut tim”…kanë qenë për mua një ushqim shpirtëror i jashtëzakonshëm. Këngët e Pilurit, këngët e Bregut mbeten të pavdekshme.
Katerina Beleri:“Mjeshtre e Madhe”
Ska si të ndodh ndryshe, kur kënga që këndoj me tekst Lefter Çipa, pa tjetër do të kem sukses. Çdo varg mban aromën e luleve të malit, erën e detit. Kur këndoj këngë me tekste të tij, marrë me vete zjarrin e vatrës himariote, për ta përcjellë në çdo vatër shqiptare.
Petrit Ruka:“Mjeshtër i Madh”
Lefter Çipa,është pa asnjë dyshim, pena më e ndritur,që mbajti gjallë dhe ngriti në maja më të larta,shpirtin e këngës labe. Nëse thua, që polifonia shqiptare,kënga labe,apo ajo e Bregut, e ke të pa mundur të mos shkrep në mëndje,emri Lefter Çipa. Emri i këtij bardi më të madhit,që krijoi poezia popullore,në këto pesëdhjetë vjetët e fundit, është e lidhur me të,si mishi me kockën. Kurrësesi Lefter, jam një dashnor i këngëve të tua, prej dyzet e ca më shumë vjetësh. Himarë. Gusht 2019.Ne shtepine e Poetit.
Intervistoi: Fadil Shehu




