Në fillim e konsideruan “Hirushen” e grupit B të “Euro 2024”. Mediat italiane patën vlerësim pozitiv për kuqezinjtë tanë, para ndeshjes në grup, ndërsa ato kroate as na përfillën fare. Se çfarë ndodhi dihet tashmë. Ndaj axurrëve humbëm 2-1, por luajtëm larg shpirtit të garës që na karakterizon.
Kundër kroatëve bëmë ndoshta ndeshjen më të mirë në histori, me nivel të lartë futbolli, ritëm, dy gola të shënuar, përmbysje dramatike në kohën shtesë. Nedim Bajrami hyri në historikun e Kampionatit Europiani si futbollisti që ka shënuar golin më të shpejtë në një ndeshje të këtij kompeticioni, pas vetëm 23 sekondash lojë, ndaj Italisë.
Edhe Jurgen Gjasula vendosi një rekord të vetin, duke u bërë futbollisti i vetëm që vjen nga stoli dhe shënon gol në të dyja portat, gjatë një ndeshjeje të Europianit. Goli dhe autogoli, të dy të regjistruar ndaj Kroacisë, e futën mesfushorin tonë kuqezi në librat e historisë së kompeticionit elitar kontinental për kombëtaret.
Shumë është shkruar e folur nga mediat e huaja për “pushtimin” e Dortmundit më 15 qershor, ku qyteti dhe stadium u veshën kuqezi. Ajo që po bën kombëtarja jonë në këtë Europian nuk i ka shpëtuar as Jose Mourionhos, trajnerit të mirënjohur portugez, i cili tani është në stolin e Fenebahces. Përmes rrjeteve sociale, një “fan page” të tij, “Special One” ka shkruar:
“Shqipëria është një nga skuadrat që theu çdo parashikim. Në grupin e vdekjes, me pritshmëri zero, stadiume plot, lojë të mirë, trajner i rastësishëm brazilian, gol në 20 sekonda, gol në minutën e fundit, ende gjallë. Nuk e kemi parë këtë që nga Kosta Rika 2014. Kulmi i futbollit”.




