Sezoni turistik do të mbyllet më 15 nëntor. Këtë ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Blendi Klosi gjatë një takimi me hotelierët e Vlorës, ku prezantoi mënyrën e menaxhimit të vijës bregdetare dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik për vitin 2020. Ministri theksoi se kohëzgjatja e sezonit bëhet për t’u dhënë mundësi operatorëve turistikë që të balancojnë humbjen e kohës nga pandemia e COVID-19.
“Për të zëvendësuar kohën e humbur në ditët e marsit, prillit, majit me kërkesë dhe të operatorëve turistikë do të shtyjmë sezonin deri në 15 nëntor në mënyrë që dhe të krijohet mundësia për të paguar faturat dhe taksat”, theksoi ministri i Turizmit.
Në bazë të rregullave të reja, të gjitha restorantet dhe hotelet do të duhet qëtë aplikojnë nga 1 qershori në e-Albania për të marrë licencë. Ministri paralajmëroi se nëse do të konstatohet shkelje e protokolli shëndetësor do të ketë gjobë dhe pezullim të licencës. Z. Klosi bëri më dije se raporti për hapësirën e plazhit do të jetë 80% publik dhe 20% privat.




