Reforma në Drejtësi kurrë nuk do ishte bërë nëse ne nuk do ishim pjesë e këtij procesi, nëse Shqipëria nuk do ishte në procesin e integrimit dhe kurrë nuk do bëhej nëse BE dhe SHBA nuk do ishin garantë të këtij procesi”. Kështu ka deklaruar sot kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të Paketës Speciale AntiKÇK, një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit.
Kryeministri tha se ky ka qenë një vit i vështirë që ka ndikuar edhe në ekonominë e vendit, por sërish tha ai faktet tregojnë se ekonomia ka njohur përmirësim në këto 6 vite.
“Ka krijuar një ndjesi pasigurie në raport me të nesërmen, gjë që reflekton menjëherë në situatën aktuale të ekonomisë. Megjithatë ia vlen që ne të përsërisim bazuar mbi fakte, jo opinione se përsëri edhe këtë vit është konfirmuar një trend pozitiv i nisur 6 vite më parë. Sot kemi të dhëna në ekonomi që tregojnë se s’ka të krahasuar situata sot me situatën dje, por pa diskutim s’ka të krahasuar situata sot me pritshmëritë dhe nevojën e gjithkujt për një ekonomi që nesër duhet të jetë shumë më e fortë dhe shumë më e gatshme t’iu japë të gjithëve një mundësi,” tha ai.
Duke iu referuar rritjes ekonomike, kryeministri tha se sado që rritet, ai vetë është i vetëdijshëm që nuk reflektohet menjëherë në ekonominë e familjeve shqiptare. Megjithatë, u shpreh ai, fuqia blerëse në 5 vitet e fundit është rritur edhe tek familjet më në nevojë.
“Shifra e rritjes ekonomike është kokëfortë, sikundër është kokëfortë e gjithë përbërja e të dhënave të ekonomisë që lidhet drejtpërdrejtë me individin. Le të marrim të dhënat e të ardhurave për frymë dhe të shikojmë se si ato kanë ndryshuar. Shikoni të ardhurat për frymë në vitin 2013! Shikoni të ardhurat për frymë në vitin 2019. Të shikojmë më tutje konsumin, kapaciteti i fuqisë blerëse. Konsumi mujor i vitit 2014 dhe ai i vitit 2018. Shikoni familjet me konsum të ulët. Këtu flitet shumë edhe me të drejtë për varfërinë, pabarazinë, për një shtet që duhet të jetë më social, etj., por pakkush iu referohet fakteve. Ja familjet me konsum të ulët. Shihni ndryshimin mes 5 viteve më parë dhe sot. Pra konsumi nuk është rritur thjesht tek familjet me nivel të lartë apo mesatar, por dhe tek ato me nivel të ulët,” deklaroi Kryeministri. /a.sh./j.p/




