Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi koronavirusit, ku sipas tij, “në 150 sekonda mëson për koronavirusin më shumë se në 150 lajme”.
“150 sekonda për të mësuar për koronavirusin më shumë se në 150 lajme. Frikë aspak, kujdes po”, tha Kryeministri Rama, duke ndarë videon informuese.
Më poshtë informacioni që jepet përmes kësaj videoje:
“Një koronavirus i ri kinez, i familjes së virusit SARS ka ngritur në këmbë komunitetin global që nga shpërthimi i virusit në Vuhan të Kinës, në dhjetor. Numri i të infektuarve dhe pacientëve që vdesin vazhdon të rritet.
Këto janë gjërat që duhet të dini për koronaviruset
Çfarë është koronavirusi?
Koronaviruset janë një grup i madh virusesh të cilët gjenden në shumë lloje kafshësh, përfshirë njerëzit. Në raste të rralla virusi kalon nga kafshët te njerëzit dhe edhe më të rralla janë rastet kur kalon nga një njeri te tjetri, që është ajo që shkencëtarët mendojnë se ka ndodhur në këtë rast.
Cilat janë simptomat?
Simptomat tipike të koronavirusit përfshijnë kollë, dhimbje fyti, në disa raste dhimbje koke, temperaturë që mund të zgjasin disa ditë. Për ata me sistem imunitar të dobët virusi mund të shkaktojë uljen e mëtejshme të imunitetit dhe probleme shumë më serioze të sistemit të frymëmarrjes si pneumonia apo bronkiti. Ka pasur vetëm dy koronaviruse të tjera që janë njohur si vdekjeprurës, virusi i Lindjes së Mesme, MERS, që shkakton probleme të mëdha me sistemin e frymëmarrjes dhe që CDC e vlerësoi se 3 në 4 nga çdo 10 pacientë të sëmurë me MERS kanë vdekur. Një tjetër është SARS, që kishte një vdekshmëri të mesme prej 10%, ku njerëzit në moshë ishin më të rrezikuarit
Si shpërndahen këto viruse?
Viruset mund të shpërndahen nga kontaktet e njerëzve me kafshët. MERS dyshohet se ka filluar nga gamiljet dhe SARS dyshohet se ka filluar nga një lloj feline. Sa i përket transmetimit nga njeriu te njeriu, zakonisht ndodh kur ndodheni 1 metër larg një njeriu të infektuar. Me këtë virus të ri nuk e dimë se kur mund të bëhet ngjitëse dhe sa i sëmurë duhet të jetë personi për të infektuar të tjerët. Në varësi të sa i rëndë është virusi, një kollë, një tështimë, një dhënie dore mund të shkaktoj ekspozimin ndaj saj.
A mund të parandalohet?
Nuk ka një vaksinë që të mbron nga kjo familje virusesh. S’ka një kurë të veçantë për koronaviruset. Shumicën e kohës simptomat largohen vetiu. Ata që sëmuren u këshillohet të bëjnë gjërat e thjeshta, të pinë shumë lëngje, të flenë sa më shumë. Simptomat përmirësohen edhe me ilaçe kundër dhimbjes apo temperaturës, por nëse përkeqësohen u rekomandohet të vizitohen te mjeku. Mund ta reduktosh riskun e infektimit duke u shmangur nga njerëzit e sëmurë, duke mos prekur sytë, hundën apo gojën dhe duke larë duart me ujë e sapun sa më shpesh për të paktën 20 sekonda./m.m/