Ecuria pozitive e ekonomisë së vendit, është pasqyruar dhe në të dhënat e tregut të punës për tremujorin e tretë, të cilat tregojnë rritjen me 3.3% të punësimit në terma vjetorë, rënien në 11.4% të normës së papunësisë dhe rritjen me 3.5% të pagës mesatare në ekonomi.
Kështu deklaroi sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp, ku ndër të tjera theksoi se, “të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike e tremujorit të tretë ka qenë në nivele të përafërta më atë të tremujorit paraardhës. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se është mbështetur nga rritja e konsumit dhe investimeve private dhe, në veçanti, nga zgjerimi i të ardhurave të turizmit”.
Mbështetur në të dhënat e Bankës Qendrore, Sejko tha se, “Trendi përmirësues i treguesve të kërkesës agregate dhe i shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve ka pasqyruar dhe efektin e politikës sonë monetare stimuluese. Kjo politikë ka siguruar një ambient financiar të karakterizuar nga norma të ulëta interesi, nga prime të kontrolluara rreziku dhe volatilitet i ulët, duke ndihmuar dhe qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit. Ambienti i favorshëm financiar dhe përmirësimi i kërkesës dhe ofertës për kredi kanë diktuar një përmirësim të mëtejshëm të kreditimit. Në veçanti, konsolidimi i sektorit bankar dhe reduktimi i rrezikut të kreditit, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 9.5% e raportit të kredive me probleme në muajin nëntor, kanë diktuar një përqasje më aktive të bankave drejt kreditimit.”
Parashikimet tona të mëparshme kanë sugjeruar se inflacioni do të ndjekë një trajektore rritëse në horizontin afatmesëm, për t’u kthyer në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2021. Ky parashikim mbështetej në përmirësimin e pritur të ritmit të rritjes ekonomike, çka do të rriste pagat dhe kostot e prodhimit, dhe në një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, çka do të lehtësonte përcjelljen e presioneve të huaja inflacioniste, tha Sejko. e.xh/j.p/




