Materniteti në qytetin e Vlorës rrezikon që të mbyllet dhe stafi të vihet në karantinë të detyrueshme.
Shkak është bërë një sanitare, e cila ka rezultuar e infektuar me Covid 19.
Sanitarja e infektuar ka djalin e saj që punon infermier në urgjencën e poliklinikës.
Ky i fundit, është larguar nga puna për të qëndruar në karantinë të detyrueshme për 14 ditë.
Ndërkohë që sanitarja ka edhe një motër që punon në maternitet dhe i është bërë gjithashtu tamponi.
Pasditen e sotme pas konfirmimit të rastit të sanitares, po dezinfektohen ambientet e maternitetit.
Gjithashtu, disa pjesëtarëve të stafit u është bërë tamponi përveç motrës së sanitares, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia për ta mbyllur maternitetin.




