Gjykata ka liruar një tjetër anëtar të bandës së Durrësit, i dënuar me 25 vite burg.
Lirinë e ka fituar Sardian Sulejmani i arrestuar bashkë me Indrit Doklen në nëntor 2005.
Akuza direkte e formuluar nga policia dhe prokuroria në ngarkim të Sardian Sulejmanit është pjesëmarrja në vrasjen e ndodhur në Tiranë në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, ku tri vite më parë mbeti i vdekur Ilir Koldashi, 31 vjeç.
Menjëherë pas kësaj ngjarje, policia u vu në lëvizje për kapjen e autorëve të saj duke vendosur në pranga Sardian Sulejmanin dhe Indrit Doklen dhe më pas duke arrestuar në spital edhe 27-vjeçarin Kujtim Buna, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit, ku u ekzekutua Ilir Koldashi.
Sardian Sulejmani akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për pjesëmarrje në episode të tjera kriminale, që i janë faturuar “Bandës së Durrësit” dhe për këtë shkak i dyshuari po gjykohet si anëtar i saj. Sulejmani mori pjesë bashkë me Indrit Doklen e Kujtim Bunën në vrasjen e lir Koldashit, më 30 tetor 2005. Kjo ngjarje mësohet se ndodhi për shkak të problemeve të brendshme të bandës dhe ndarjes së saj në dy fraksione.




