Marketingu është një fushë në zgjerim të vazhdueshëm dhe tashmë reklamat janë shtrirë përtej televizionit e gazetave, në aparate celularë e kudo tjetër ku mund të fitojnë vëmendjen tonë.
Tashmë kompania amerikane Grabb-It kërkon të sjellë reklama edhe në makina, duke e kthyer dritaren e pasme në një ekran me ngjyra, i cili përsërit reklama të ndryshme në varësi të vendndodhjes së automjetit.

Përmes një materiali të hollë që ngjitet në dritare, sipërfaqja kthehet në një televizor. Materiali që bën projeksionin është i hollë mjaftueshëm për të lejuar xhamin të ngrihet dhe ulet, por jo aq i hollë sa të lejojë pasagjerët të shohin lirisht. Ndërkohë instalimi dhe heqja e materialit ofrohet tërësisht falas nga kompania.
Kjo shihet si një mundësi e mirë për shoferët që udhëtojnë për një kohë të gjatë, të fitojnë para, duke kompensuar në këtë mënyrë karburantin e shpenzuar. Sipas Grabb-It, produkti po testohet me rreth 25 shoferë në San Francisco, ndërsa fitimet arrijnë në 300 dollarë në muaj për ata që udhëtojnë 40 orë në javë.

Aktualisht promocioni do të jetë i mundshëm të vendoset vetëm në xhamat e automjeteve që janë në lëvizje të shpeshtë, si taksitë apo aplikacionet si Uber dhe Lyft. Megjthatë në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia e lejimit të individëve të thjeshtë.
Kështu siç është reklama ka rezultuar efektive dhe e dallueshme në çdo lloj ndriçimi. Gjithsesi, Grabb-It duhet të marrë aprovimin edhe nga autoritetet përkatëse për t’u siguruar që është e ligjshme dhe nuk mund të bëhet shkak për aksidente. Në rast të miratimit, pritet që opsioni të bëhet publik në Nëntor 2018.