Fjala “karantinë” vjen nga dialekti venedikas që në italisht nënkupton “quaranta giorni” dhe në shqip 40 ditë. Ky emër iu vendos procesit të izolimit që iu bëhej anijeve dhe njerëzve para se të futeshin në Venedik gjatë periudhës së prekjes së botës nga murtaja apo e ashtuquajtura, “Vdekja e Zezë”. Kujtojmë se mes viteve 1348 dhe 1359, “Vdekja e Zezë” shfarosi rreth 30% të popullsisë së Evropës dhe një përqindje të popullsisë së Azisë. Një dokument i arkivave të Dubrovnikut në Raguza, (Kroacia e sotme), që daton në vitin 1377 urdhëronte se para se të lejohej hyrja në qytet, të ardhurit e rinj duhej të kalonin 30 ditë (a trentine) në një vend të izoluar, në ishujt aty pranë, për të parë nëse shfaqnin simptomat e sëmundjes.
Në vitin 1448 shteti venedikas e zgjati periudhën e pritjes (izolimit) në 40 ditë duke i dhënë kështu emrin karantinë ose quarantina. Ky afat rezultoi se ishte një formulë e mirë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Karantina dyzetëditore dëshmoi se ishte një formulë efektive për trajtimin e shpërthimeve të murtajës. Sipas vlerësimeve, murtaja kishte një periudhë 37-ditore nga infeksioni deri në vdekje. Prandaj, karantinat evropiane do të kishin qenë shumë të suksesshme në përcaktimin e shëndetit të ekuipazheve nga anijet e mundshme tregtare dhe të furnizimit.
Gjithashtu disa sëmundje të tjera i janë nënshtruar praktikës së karantinës para dhe pas shkatërrimit të murtajës. Ata të prekur nga lebra ishin të izoluar afatgjatë nga shoqëria, dhe u bënë përpjekje për të kontrolluar përhapjen e sifilizit në Evropën veriore pas vitit 1492, ardhjen e etheve të verdha në Spanjë në fillim të shekullit të 19-të dhe ardhjen e kolerës aziatike më 1831.
E sërisht sot pas shumë kohësh, vjen përvoja e betejës me COVID-19 . Duket sikur historia përsëritet kur tentojmë ta harrojmë atë!!!
Autori/Besmir Guri