Politika e ndjekur nga qeveria për subvencionimin e investimeve që shkojnë për zgjerimin e bazës së prodhimit të produkteve bujqësore dha rezultate direkte në rritjen e nivelit të eksporteve bujqësore shqiptare, që gjatë këtij viti janë 14.3% më të larta.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë diskutimit të projektbuxhetit për bujqësinë për vitin 2020, deklaroi se, “nëse ka pasur sukses në rritjen e produktit bujqësor dhe rritjen e eksportit të tyre, kjo ka ardhur për shkak të politikave që ka marrë qeveria”.
“E orientuam ndihmën tonë në dy shtylla, në nxitjen përmes mbështetjes së krijimit të serrave dhe forcimin e pikave të grumbullimit. Fakt mbetet që gjatë këtij viti, kemi një rekord, një përmbysje domethënëse të raportit të eksport-importit të produkteve bujqësore”, deklaroi ministri.
Sipas tij, edhe raporti i rritjes së eksporteve me subvencionin tregon efektivitetin e politikave.
“Ne duhet të harxhojmë para publike aty ku krijojmë vlerë. Politika e subvencionimit direkt është një politikë jo moderne, nuk garanton rritjen e sektorit. Po nuk dolëm në tregjet ndërkombëtare me eksporte nuk do të krijojmë kurrë një sektor bujqësor, motor për ekonominë dhe për mirëqenien e qytetarëve. Duhet të dimë se çfarë krijon avantazh në tregjet europiane dhe t’i mbështesim”, tha ministri Çuçi.
Çuçi vuri në dukje se sipas përllogaritjeve, për çdo 1 dollar të investuar në bujqësi kemi 5 dollar vlerë të shtuar.
“Për çdo njësi monetare, në këtë rast marrim 1 dollar në investime, e shtuara rritet me 5 dollarë. Subvencionimi në investime ka impakt të konsiderueshëm makroekonomik. Skema e subvencionimit në investim zgjeron bazën e e prodhimit. Kemi rezultate konkrete, pasi eksportet e produkteve bujqësore këtë vit rezultojnë 14.3% më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018”, deklaroi ministri Çuçi.
Ministri theksoi se sot harta e vendeve që marrin produkte bujqësore shqiptare është shumë më e gjerë, që nga Norvegjia e deri në Greqi. Edhe përtej Europës, tha ai, ka produkte që shkojnë në të gjitha kontinentet siç janë bimët medicinale aromatike.
Ministri po ashtu bëri të ditur se skema e subvencionimit të drejtpërdrejtë do të shkojë për blegtorët e bagëtive të imëta. Shqipëria, tha ministri Çuçi, ka potenciale për të krijuar avantazhe në tregje si eksporti i bagëtive të imëta ndaj do të vijojmë mbështetjen direkte.
“Gjatë vitit që vjen ne parashikojmë të përdorim subvencionimin për krerë për bagëtinë e imët. Subvencioni për krerë është skema që mirëpritet nga fermerët”, tha ai.
Sa i takon debatit mbi rimbursimin, ministri Çuçi shpjegoi se ai godiste drejtpërdrejtë buxhetin dhe furnizonte spekulantët. “Rritja e eksporteve i dha fund edhe debatit se me uljen e rimbursimit do të binte eksporti i produkteve”, tha ai.
/a.gjonaj//m.m/




