Janë bërë publike detaje të reja që lidhen me atentatin e kryer ditën e djeshme ndaj Ardian Çapjas, 55 vjeç, në Elbasan.
Mësohet se policia ka shoqëruar si të dyshuar dhe si dëshmitarë më shumë se 20 persona, një informacion ky i raportuar nga gazetarja Dorjana Bezat për “BW”.
Gjithashtu mësohet se janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë në perimetrin e zonës ku ka ndodhur atentati kriminal.
Nga provat e mbledhura deri tani për këtë ngjarje dyshohet se qitja në drejtim të Çapjas është bërë me snajper silenciator.
Gazetarja tha:
“Janë sekuestruar kamera sigurie në një zonë të gjerë dhe po këqyren pamjet e ditës së djeshme, por edhe të ditëve më parë, pasi ka dyshime se atentatorët e kanë studiuar zonën.
Pas 15 minutash, nga atentati në lagjen “Skëndërbej” u gjet tërësisht i djegur mjeti tip “Volksvagen Sharon”. Policia ka mundur që të dallojë targën e tij AA 821 MD. Nga veprimet hetimore rezulton se, targat janë të vjedhura dhe i përkasin një mjetit “Citroen C3” dhe janë deklaruara të vjedhura në Krujë një vit më parë më datë 6 maj 2019.
Duke pasur dyshime se mjeti është i atentatorëve, policia ka këqyrur me imtësisht brenda këtij mjeti dhe ka sekuestruar, një armë zjarri e dëmtuar, në dukje “Snajper”. Pasi është çuar në laborator, ekspertet kanë mundur të përftojnë numrin e serisë së armëës dhe po bëhen verifikime për të kuptuar nëse është e regjistruar. Në mjetin e djegur, policia ka gjetur edhe një silenciator, i çmontuar, i cili do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme.”




