Bashkia Bulqizë organizoi sot ceremoninë e nënshkrimit të Kartës Europiane për Barazi të Grave dhe Burrave duke ndërmarrë kështu një angazhim zyrtar ndaj parimit të barazisë, me qëllim arritjen e një jete më të mirë për të gjithë banorët, pavarësisht gjinisë.
Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Kryetarit të bashkisë Lefter Alla, me mbështetjen e projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, ishin Drejtori i Projektit të USAID/PLGP, përfaqësuese dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore në Bulqizë, si dhe anëtarë të stafit të bashkisë e njësive administrative.
Me nënshkrimin e kësaj Karte për Barazi, Bashkia Bulqizë u bashkohet 1791 bashkive të Evropës (7 prej të cilave në Shqipëri) të cilat ndërmarrin përgjegjësi e veprime në fushën e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, në përpjekje për të adresuar sfidat e shumta që nuk lejojnë gratë dhe burrat të gëzojnë të drejta të barabarta në jetën shoqërore, politike apo ekonomike.
Bashkia Bulqizë tashmë mund të përfitojë nga praktikat më të mira evropiane duke rritur njëkohësisht prezencën e saj në nivel evropian si dhe bashkëpunimin në fushën e barazisë gjinore.
30 nenet e Kartës Europiane për Barazi, paraqesin masa se si bashkitë dhe qarqet mund të punojnë për përmirësimin e barazisë gjinore në fusha të ndryshme të kompetencave të tyre. Përgatitja dhe miratimi i një Plani Lokal Veprimi për Barazinë Gjinore do të jetë hapi i radhës në kuadër të këtij angazhimi të sapo ndërmarrë, ndërkohë që zbatimi në vazhdimësi i këtij plani me burime të dedikuara e përgjegjshmëri, do të udhëheqë drejt barazisë gjinore.1 nga 6










