Nëse ka një emër që nuk do të vdesë kurrë dhe ka shënuar histori dhe epokë në muzikën shqiptare, është Vaçe Zela.
Derisa në pak ditë po i afrohemi Festivalit të TVSH-së, i cili sivjet shënon edicionin e 58-të, duhet të kujtojmë se emri i madh legjendar shqiptar e ka fituar festivalin plot 11 herë. Ky është rekordi që Vaçe Zela e mbanë në këtë festival të njohur.
Në vitin e parë të mbajtjes së festivalit, në vitin 1962, Zela fiton festivalin me këngën “Fëmija i parë”.

Dy vite më pas, Vaçe Zela e fiton festivalin me dy këngë. Bashkëpunimet e saj me Nikolin Gjergjin dhe Klotilda Shantojën i sjellin asaj fitore të dyfishtë, duke u bërë këngëtarja e vetme që ka fituar festivalin me dy këngë së bashku.
Në vitin 1966, Zela prapë triumfon në festivalin që mos të harrojmë se në këto vite ka qenë i ndjekur gjithandej ndër shqiptarë, me interes të madh. Me këngën “Shqiponja e lirë”, Vaçe Zela shënon fitoren e katërt.
https://www.youtube.com/watch?v=ZKFGk2yOL9c&feature=emb_logoMë pas, në vitin 1967 dhe 1968, Vaçe Zela shpërthen e nuk ka të ndalur. Në vitin 1967 ajo e fiton festivalin me bashkëpunimin e saj me Gaqo Çakon, ndërsa në vitin pasues me Ramiz Kovaçin, shkruan KultPlus.
Në vitin 1970, me këngën “Mesnatë”, Vaçe Zela fitoi përsëri, kësaj here bashkë me Liljana Kondakçin.
https://www.youtube.com/watch?list=PLxsIbwbCE8zLE-xfUi3N7QNH-dyqD1R-L&v=PELay7H9sn8&feature=emb_logoDo të pushonte tri vite, që fitoren ta merrte dikush tjetër, por festivalit Vaçja i rikthehet në vitin 1973 kur fiton prapë, kësaj here me këngën “Gjurmët e arta”.

Në vitin 1976, fitoren e nëntë me radhë në festival Zela e merr me këngën “Nënë moj do pres gërshetin”. Vitin tjetër fiton me këngën “Gonxhe në pemën e lirisë”.
Fitoren e fundit në festival, të njëmbëdhjetën me radhë, Vaçe Zela e arrin në vitin 1980 me këngën “Shoqet tona ilegale”, në bashkpëunim me Myfarete Lazen.
Festivalin e TVSH-së ndër vite e kanë fituar edhe plot emra të tjerë, por asnjë kaq me sukses sa Vaçe Zela. Tonin Tërshana e ka fituar festivalin katër herë, që është rekordi tjetër pas Vaçes.
Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.
Këtë javë mbahet edicioni i radhës i Festivalit të TVSH-së, që njihet edhe me emrin Festivali i Fundvitit apo Festivali i Dhjetorit. 20 këngë konkurrojnë për të fituar në natën finale me 22 dhjetor. Burimi/ KultPlus.com




