Në një kohë kur zgjedhjet presidenciale u fituan nga rivali Joe Biden, deklaratat dhe veprimet e presidentit Trump kanë ngjallur frikën tek disa analistë se ai mund të refuzojë të heqë dorë nga pushteti. Studiuesit e të drejtës kushtetuese thonë se ekzistojnë protokolle që garantojnë rotacionin, kur një president ka mbaruar mandatin e tij, dhe në rast se ato protokolle do të dështonin vendi do të përballej me krizën më të madhe kushtetuese të njohur ndonjëherë.
Megjithëse procesi elektoral teknikisht është ende në vijim, Biden rezulton qartazi fitues pas numërimit të votave në çdo shtet. Çdo kandidat i mëparshëm që ka humbur me një diferencë të tillë, ka pranuar të largohet nga posti. Trump deri më tani ka refuzuar të pranojë rezultatin dhe ekipi i tij i fushatës ka hapur më shumë se një duzinë procesesh në disa nga shtetet kyçe, me pretendime të pabazuara. Shumë prej padive bazohen në prova aq të pafaktuara sa tashmë janë hedhur poshtë nga gjykatat.
Refuzimi i një presidenti të mundur për të hequr dorë nga pushteti do ishte i pashembullt në historinë amerikane. Shqetësimi për kontrollin e pushtetit nga një president që refuzon të lërë postin daton që nga konventa kushtetuese e vitit 1787. “Ky ishte burim diskutimesh dhe debatesh të jashtëzakonshme”, thotë Rick Pildes, profesor i së drejtës kushtetuese në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Nju Jorkut.
“Por unë nuk mendoj se hartuesit e kushtetutës kishin imagjinuar mundësinë që një president do të përpiqej të qëndronte në detyrë përtej mandatit të tij,” thotë Pildes. Si rezultat, Kushtetuta nuk adreson në mënyrë specifike një skenar të tillë.
Dy janë rrugët që mund të ndërpresin mandatin e një presidenti. E para është vërtetimi i akuzave, dhe e dyta kur një president për shkak të ndonjë sëmundjeje nuk është i aftë të përmbushë detyrat e tij. Asnjëra nga këto nuk do mund të zbatohej nëse dikush përpiqet të qëndrojë në zyrë në tejkalim të mandatit, për faktin e thjeshtë se ai nuk është më president. Ata (presidentët), kanë mandate të kufizuar katër vjeçar që përfundon më 20 janar, pas vitit të zgjedhjeve. Ja pse kanë rëndësi dispozitat kushtetuese në lidhje me transferimin e pushtetit, pyetja është se si do të zbatohet ajo këtë vit?
Një mandat katër vjeçar me një datë të vështirë përfundimi!
Kohëzgjatja e mandatit presidencial ishte tema kryesiore e debatave të Konventën Kushtetuese të vitit 1787. Disa delegatë mbështetën idenë që presidenca të zgjaste tre vjet, ndërsa disa të tjera favorizuan propozimin që presidenca të zgjaste shtatë vjet. Aleskandër Hamilton, një federalist i flaktë, besonte në një qeveri të fortë dhe të centralizuar, ide që e mbështeti deri në fund të jetës.
Ideja e Hamiltonit u rrëzua nga pjesa tjetër e delegatëve, të cilët ishin të velur për të rikrijuar një model të ngjashëm monarkik, që sapo e kishin lënë pas. Në shënimet e tij nga kongresi, James Madison e përshkroi propozimin e Hamilton si ekuivalentin e një “Monarku me Zgjedhje”.
Në fund delegatët bënë kompromis që mandati të jetë katër vjeçar, të parashikur në Nenin II, seksioni i I-rë i Kushtetutës. Hamilton nuk hoqi dorë, por shkroi një sërë esesh në gazetat federaliste, ku sugjeronte që shtetet të ratifikonin kushtetutën, duke argumentuar se katër vjet janë të pamjaftueshme për një president që të bënte ndryshimet e premtuara, dhe presidenti duhet të kishte mundësi rizgjedhjeje. Sipas tij mundësia e rizgjedhjes do impononte një president me sjellje dinjitoze, pasi ai do kishte nevojë për mbështetjen e publikut për të qëndruar në detyrë.
Mandati i një presidenti amerikan përfundon teknikisht në Ditën e Përurimit. Për më shumë se një shekull, inagurimet presidenciale u bënë në mars, përpara se ato të zhvendoseshin më 20 janar pas ratifikimit të amendamentit të 20-të, i cili thotë se kompetencat e Presidentit dhe zëvëndesit të tij përfundojnë në mesditën e 20 janarit. Edhe kur një president rizgjidhet, ekziston një vijë e qartë mes mandatit të tij të parë dhe të dytë. Që nga koha e Xhorxh Uashingtonit, presidentët e rizgjedhur kanë qenë të detyruar të betohen në Ditën e Përurimit.
Çfarë do të thotë kjo për vitin 2021?
Në 20 Janar 2021, fituesi i zgjedhjeve të 2020-ës do të betohet. Dhe megjithëse shtetet janë ende duke vërtetuar akuzat, Kolegji Zgjedhor doemos do të mblidhet në 14 Dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin. Ekspertët thonë se fitorja e Biden është e qartë. Me 79.5 milion e votave të hedhura për Biden krahasuar me 73.6 milion të Trump.
“Unë mendoj se fitorja e thellë e Biden mjaft solide për t’i bërë ballë çdo lloj rinumërimi”, thotë Lawrence Douglas, një profesor i drejtësisë, në Kolegjin Amherst. Në librin e tij, Douglas ka paraqitur skenarë në të cilët shpjegohet se si Trump mund të mbajë pushtetin bazuar në kontestimet që ai ka ngritur.
Megjithatë Douglas nuk beson se ndonjë nga ato skenarë ka të ngjarë, duke vënë theksin se rinumërimet zakonisht mund të ndryshojnë rezultatet vetëm në disa qindra vota, ndërsa Biden është përpara me mijëra ose dhjetëra mijëra vota në secilin prej shteteve kyçe. Proceset gjyqësore, thotë ai, “janë të pavlefshme dhe joserioze, pa asnjë lloj perspektive reale për të pasur ndonjë ndikim në zgjedhje apo në ndryshimin e rezultatit”. Edhe nëse disa republikanë në Kongres do të ngrinin pretendime më 6 janar – kur organi ligjzbatues do të numërojë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe të shpallet zyrtarisht një fitues, profesori nuk mendon se ata do të përfitojnë diçka.
Ditën që Biden do të betohet, Trump automatikisht kthehet në person civil. Nëse Trump do të përpiqej të qëndronte në Shtëpinë e Bardhë, Biden ka autoritetin si komandat i përgjithshëm për të urdhëruar forcat e armatosura, ose Shërbimin Sekret, për të larguar që aty fizikisht zotin Trump. “Mandati i tij pas betimit të presidentit të ri në ditën e përurimit ka përfunduar. Trump do ishte thjeshtë një shkelës i ligjit”, thotë Pildes.
Çfarë ndodh nëse deri atëherë vazhdon rinumërimi?
Në një rast të pamundur që rezultatet presidenciale të vazhdonin të kontestoheshin deri në ditën e përurimit, atëherë është Kongresi ai që ndërhyn për të zgjidhur ngërçin, duke zgjedhur një president të përkohshëm, sipas aktit që flet për pasardhësin e Presidentit.
Në 1947, Harry Truman nënshkroi aktin e Pasardhësit të Presidentit që është në fuqi edhe sot. Kryetari i Dhomës së Kongresit është i pari në radhën për presidencën, i ndjekur nga kryetari i Senatit, i ndjekur sipas protokollit nga anëtaret e tjerë të kabinetit. “Ky akt nuk është zbatuar kurrë, pasi ka qenë e pakonceptueshme një situatë e tillë” thotë Douglas.
“Unë nuk pres që Trump të pranojë humbjen, por ai është i detyruar t’i nënshtrohet humbjes” , shton Douglas. “Dallimi thelbësor qëndron në faktin se si atij i duhet një preteks për të rikandiduar në vitin 2024, dhe vetëm në këtë formë mund të vazhdojë të ruajë lidhjet me mbështetësit e tij”, shton Douglas.
Profesori Pildes, thotë se edhe pse nuk ka ndonjë artificë për të parandaluar qëndrimin e një presidenti në detyrë në tejkalim të mandatit, sërish kjo nuk nënkupton dështimin e sistemit. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e SHBA, dhe s’mund të ndodhë. Kështu që ata që hartuan kushtetutën, nuk kanë gabuar pasi ky është një skenar i pamunduar”, thotë ai.
Profesori Douglas nga ana tjetër pajtohet me faktin se çdo sistem ligjor mbështetet në një sistem normash, siç është në këtë rast dhe tranzicioni paqësor i pushtetit. “Nëse njerëzit përpiqen të ndalojnë zbatimin e këtyre normave, kjo mund të prishë sistemin”.
Marrë nga National Geographic




