Me vlerësim të lartë dhe mirënjohje të madhe, kujtojmë sot në datën e lindjes Besim Zekthin, “Nder i Kombit”, valltarin dhe koreografin që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në themelet e ndërtimit të sukseseve të Ansamblit Popullor. Për ngritjen e kulminacioneve artistike të skenës shqiptare, për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin tek brezat e artistëve të rinj, si dhe për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore jashtë vendit.
Ai numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, duke realizuar me qindra figura artistike, të cilat janë të fotografuara në memorien artistike të gjithë shikuesve në mbarë brezat shqiptarë. Shkathtësia, mprehtësia, impulsi dhe dinamika e mjeshtrit të madh, kanë mahnitur mijëra e mijëra spektatorë. I cilësuar si kërcimtar plot temperament, energjik, i lehtë, me një mimikë shumë të pasur dhe ekspresive, jeta e tij artistike është e lidhur fort me jetën koreografike të Ansamblit Popullor.
Këtë e kanë vërtetuar një seri vallesh të vëna në skenë me sukses të plotë nga artisti i madh. “ Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj, janë disa nga veprat e vëna në skenë me koreografi të mjeshtrit. Besim Zekthi ka debutuar me shumë sukses në vende të ndryshme të Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.
Për talentin, punën dhe virtuozitetin në interpretimin e valleve popullore, është vlerësuar me dhjetëra çmime dhe trofe të ndryshëm, deri te titulli i fundit “Nder i Kombit” me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit Popullor.
Burimi: Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor










