Janë kthyer në dramë kombëtare vlerësimet e pamerituara që shteti dhe shoqatat ndajnë nëpër individë të zakonshëm që nuk kanë asnjë impakt as në kulturë, as në komunitet, pra që nuk e meritojnë.
Ka reaguar pinistja Etrita Ibrahimi, e bija e kompozitorit të mirënjohur Feim Ibrahimi me një rast të ngjashëm, kur Presidenti i Republikës nderoi me dekoratë Ylli Bakën, një këngëtar të muzikës tallava.
Më poshtë reagimi i plotë i zonjës Etrita:
“Domethënë na rroftë ne që studiojmë orë, ditë e javë të tëra për të realizuar një koncert si ai i yni që u transmetua mbrëmë në RTSH…! Po s’patëm miliona klikime, s’meritojmë asgjë…!
Po mirë ne s’vlekemi hiç, po atyre si puna e babait tim, që kanë ndërtuar historinë e muzikës shqiptare, si t’ia bëjmë? Se titujt duhet t’ia kishit dhënë me kohë, por nuk duken as në horizont…! Apo s’ka rëndësi as kjo, se fundja kush janë ata..?! Se mos kanë miliona klikime…!
E rëndësishme është tallavaja…ajo ka miliarda, jo vetëm miliona, klikime…!
Bravo Mr. President…të kemi njësh, s’kam ç’them tjetër!!!”




