Në Lezhë është goditur një tjetër tentativë për trafikimin e lëndëve narkotike. Me finalizimin e operacionit “Gjadëri” janë sekuestruar 95 kg cannabis sativa, 3 automjete, 8 aparate celularë dhe 11.000 euro. Ndërsa, në pranga janë vënë katër persona.
Njoftohet se lënda narkotike po transportohej me një automjet tip BMW nga Vlora në drejtim të Shkodrës me qëllim trafikimin. Pas ndërhyrjes, policia arriti që të bllokonte automjetin, me drejtues qytetarin me iniciale K. D.
Lënda narkotike u gjet në sedijen e pasme dhe në bagazh të mjeti tip “BMW” që po bënte transportimin. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në të tre mjetet u gjetën dhe u sekuestruan 11.000 eurot.
Në flagrancë është arrestuar drejtuesi i mjetit K. D., 23 vjeç, banues në Shkodër ndërsa janë ndaluar gjithashtu K. L., 28 vjeç, A. T., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe K. T., 50 vjeç, banues në Shkodër, të cilët ndodheshin në dy mjetet që po kontrollonin rrugën.




