Tabulatet telefonike që janë analizuar gjatë hetimit për vrasjen e menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti, kanë hedhur poshtë dëshminë e njeriut që e implikoi Olsi Qalliajn në vrasjen e Kurtit. Ky i fundit u qëllua për vdekje në 18 mars 2019 dhe për këtë krim, policia dhe prokuroria e Tiranës arrestuan Qalliaj si autor të dyshuar të vrasjes, Elsi Levendin dhe Alesio Berberin. Por dy nga të arrestuarit tashmë janë të lirë, ndërsa vetëm një mësohet se vijon të jetë në qeli.
Në fillim të tetorit 2019 tre gjyqtarë të Apelit Tiranë vendosën të ndryshojnë masën e sigurisë për Olsi Qalliaj nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” me argumentin se prokuroria dhe policia e Tiranës nuk kishin sjellë prova bindëse që të vërtetonin implikimin e Qalliaj në ekzekutimin me disa plumba të Jurgen Kurtit. Sipas argumentit të gjyqtarëve Alaudin Malaj, Genti Shala dhe Elbana Lluri nga verifikimi i tabulateve telefonike që tregojnë vendndodhjen e Olsi Qalliaj më datën 18 mars 2019 kur dhe ka ndodhur vrasja në harkun kohor 22:08 deri në 22:15, nuk ka qenë në qytetin e Tiranës në rrugën “Zef Jubani”. Pra siç thotë gjykata, autori kryesor i kësaj vrasje Olsi Qalliaj nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ç’ka tregon se deklarimet e Elsi Levendit, që e implikojnë Qalliaj si autor të dyshuar të vrasjes, nuk përputhen me provat e administruara në dosje.
Sipas të vendimit të gjykatës së Apelit Tiranë të vetmet lidhje mes ngjarjes së ndodhur dhe të arrestuarit Olsi Qalliaj, janë deklarimet e të arrestuarit tjetër në këtë ngjarje Elsi Levendi. Treshja e gjyqtarëve argumenton në vendimin e ndryshimit të masës së sigurisë s:”… sipas tabulateve telefonike, vendndodhja e të arrestuarit Olsi Qalliaj më datën 18 mars 2019, gjatë ditës ka qenë në qytetin e Patosit dhe të Fierit. Kurse në orën 21:54 ka qenë në qytetin e Kavajës dhe në vazhdim në orën 22:10 në Sukthi i Ri në Durrës e më pas në 22:20 në zonën e Kasharit në Tiranë…”.




