Porti i Durrësit është pika nga hyjnë në vendin tonë rreth 40% e volumit të mallrave të ndryshme dhe pika kryesore e kalimit të udhëtarëve në drejtim të Italisë. Në këtë port veprojnë njëkohësisht disa institucione e agjenci që merren me sigurinë e përgjithshme, sigurinë ushqimore, luftën ndaj kontrabandës etj.. Duke qenë se këto autoritete kanë linja të ndryshme varësie institucionale, është krijuar një hendek në mirëmenaxhimin e punës dhe veprimtarisë në këtë port.
Ky problem u soll në vëmendje të publikut nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, gjëtë vizitës së zhvilluar sot në portin të Durrësit. Ai shprehu nevojën për përmirësime të mëtejshme e të thella në gjithë strukturën e menaxhimit të punëve në këtë nyje të rëndësishme të komunikimit të vendit tonë me botën.
Përmes panelit me përfaqësues nga të gjitha autoritetet e këtij porti, Ministri Lleshaj theksoi që në fillim të fjalës volumin e madh të mallrave, të cilat kalojnë nëpërmjet këtij porti, por nënvizoi se bashkë me të mirat, në këtë pikë kalojnë edhe problemet e ndryshme, duke nisur nga kontrabanda e duke përfunduar te çështje të sigurisë, edhe ato kombëtare.
Është pikërisht rëndësia e kësaj pike strategjike, e cila thërret dhe për nevojën e përmirësimeve të mëtejshme, tha Ministri Lleshaj. Duke vënë gishtin mbi probleme kryesore ai përmendi numrin e madh të autoriteteve të cilat veprojnë në këtë port, gjë e cila mund të bëhet një pengesë në mbarevajtjen eficente të proceseve portuale. Për këtë arsye është e rëndësisshme bashkrendimi dhe standardizimi i procedurave, gjë që do e bënte portin të funksiononte si një entitet i integruar.
Kjo do lehtësonte luftën ndaj problematikave, të cilat lidhen kryesisht me çështje që kanë të bëjnë me trafiqet, kontrabandën dhe evazionin. Ministri Lleshaj tha se është nevojë dhe njëherësh një kërkesë edhe e qeverisë dhe Kryeministrit Rama që të ndryshojë modeli i menaxhimit në këtë port.
Ministri tha se kanë bërë sondazhe dhe inspektime në Policinë Kufitare nga të cilat janë evidentuar problemet të cilat kërkojnë ndërhyrje më të thella me qëllimin përmirësimin e standarteve të të gjithë institucioneve që veprojnë në port