Ish-futbollisti i Kombëtares, Klodian Duro u skualifikua nga “Big Brother VIP”, pasi deklaroi mbrëmjen e djeshme se kishte dhunuar bashkëshorten. Pas largimit nga shtëpia e Vëllait të Madh ka ardhur një reagim nga vetë Duro në rrjetet sociale.
Ai i kërkon falje publikut, ndërsa thotë se deklarata e tij ishte një ironi që i lë vend keqinterpretimit.
Ish-futbollisti i Kombëtares shpreh keqardhje që nuk mundi të përcillte mesazhet e duhura te publiku.
“Unë, Klodian Duro, ju njoftoj që rrugëtimi im në Big Brother VIP është ndërprerë sot.
Shkak është bërë një deklaratë e gabuar, nisur si ironi, e tepërt tani që e shoh me ftohtësi dhe që i lë vend keqinterpretimit.
Më vjen keq që nuk arrita dot të përcillja mesazhet e duhura tek të cilat besoj vërtetë dhe do t’i dëshmoja gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother.
Një ndjesë shumë e sinqertë i shkon publikut dhe i uroj suksese të gjithë banorëve!”, thekson Duro.




