Në 24 mars, Shqipëria shpalli gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, që imponoi disa masa të reja për bizneset. Qeveria vendosi që të gjitha subjektet që tregtojnë produkte ushqimore dhe produkte të tjera, me shumicë, janë të detyruar të mbajnë rezerva për një periudhë 3-mujore.
Ministrja Denaj bëri të ditur se qeveria kishte bërë ndryshimet e nevojshme në Buxhet për krizën, duke shtuar edhe Fondin e Sovranitetit prej 11 miliardë lekësh, që do t’i jepen kompanive me probleme në likuiditet, në formë kredie.
1.Përshkallëzimi kohor i masave ndaj koronavirusit (nga ndalimi qarkullimit, deri tek lista e bizneseve të ndaluara). Koronavirusi ose e identifikuar me termin COVID-19 është kthyer tashmë në një pandemi globale sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Teksa, muaj më parë, nga provinca Wuhan, Kinë ku filloi shpërthimi i infeksionit gjithçka dukej e largët dhe se nuk do të prekte pjesën tjetër të globit, realiteti rezultoi tërësisht ndryshe.
Qasja ndryshoi kur fqinji ynë në Adriatik, Italia u godit nga një valë e madhe përhapje në zonat e saj veriore. Europa kishte përballë sfidën e mbylljes së kufijve, një masë që dukej tepër drastike.
Shqipëria gjithashtu filloi të ngrinte alarmet e para, me masat e para që përfshinin thirrje për të gjithë udhëtarët në Itali të bënin kujdes.
Kryeministri Rama me përhapjen e virusit në Europë dhe Itali refuzoi mbylljen e kufijve, duke e cilësuar si një masë që nuk është e domosdoshme. Dy javë më pas më 9 mars, koronavirusi mbërrin në Shqipëri me dy pacientët e parë, një djalë dhë babai i tij, që kishin udhëtuar me makinë në rrugë tokësore nga Firence. Mëngjesin e të nesërmes, pas verifikimit të rasteve, kryeministri mblodhi Task-Forcën për të shpallur masat emergjente. Në to përfshihej mbyllja e të gjitha bizneseve të cilat ishin jo-jetike për ekonominë shqiptare. Filloi mbyllja e shkollave dhe u kërkua masa e distancës sociale. Qeveria rriti bonusin për infermierët dhe doktorët.
Duke shkuar drejt fundjavës në 12 mars Qeveria lajmëroi se do të kufizohej qarkullimi i mjeteve publike dhe privatë në të gjitha qarqet e vendit. Tashmë Policia kishte dalë në rrugë dhe çdo mjet që qarkullonte kërkohej autorizim i posaçëm, ndërsa shumë biznese filluan praktikën e ‘punës nga shtëpia’.
Pas shtrëngimit të masave dhe izolimit të qytetarëve, qeveria filloi të konsideronte impaktin ekonomik që do të shkaktonte situata. Fillimisht u firmos urdhëri për shtyrjen e kredive për të gjithë bizneset dhe individët, të cilët ishin direkt të prekur nga koronavirusi, e miratuar më pas edhe nga Banka e Shqipërisë.
Në 22 mars u shpall lista e bizneseve të cilat do të lejoheshin të vazhdonin aktivitetin e tyre në periudhën e pandemisë. Ato përfshinin ushqimoret, farmacitë, karburantet, industria prodhuese dhe përpunuese, institucionet e administratës publike, median dhe fasonët.
Në 24 mars, Shqipëria shpalli gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, që imponoi disa masa të reja për bizneset. Në këtë mënyrë qeveria vendosi që të gjitha subjektet që tregtojnë produkte ushqimore dhe produkte të tjera, me shumicë, të domosdoshme për përballimin e situatës, janë të detyruar të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit. Rezerva duhet të mbanin edhe farmacitë. Mosmarrja e këtyre masave dënohej me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe me përjashtimin nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare. Ndërkohë u hoqën gjobat për deklarim të vonuar për periudhat tatimore të zgjatjes së gjendjes së emergjencës. Në këtë mënyrë, bizneset që janë të mbyllura nga masat e marra në pamundësi të dorëzimit të deklaratave në kohë, do të “shkarkohen” nga përgjegjësia e pagesave të penaliteteve gjatë kësaj periudhe.
Po ashtu, për bizneset e prekura bazuar në kërkesën e tatimpaguesit, Administrata Tatimore mund të vendosë shtyrjen e afatit për pagesën e detyrimeve tatimore të deklaruara. Për të lidhur një marrëveshje, tatimpaguesi detyrohet të kryejë menjëherë 20 % të vlerë së detyrimit tatimor, ndërsa pjesa tjetër shtyhet duke u paguar me këste sipas një grafiku të përcaktuar nga administrata tatimore.
Në 27 mars, Qeveria njoftoi një tjetër masë nëpërmjet një vendimi në Fletoren Zyrtare ku përcaktohet se afatet e deklarimit dhe të pagesës për bilancin kontabël, së bashku me anekset e tij, dorëzohet brenda datës 31 korrik 2020, ndërsa afati zyrtar ka qenë 31 Marsi. 2.Paketat e Reagimit Ekonomik (së bashku me rishikimet e buxhetit të qeverisë shqiptare)
Në 19 mars kryeministri prezantoi ‘Planin e Garancisë Financiare’. Një fond prej 12 miliardë lekësh i fokusuar tek shtresat në nevojë dhe bizneset e vogla, si dhe për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë. Në këtë paketë, të papunët, familjet në ndihmë ekonomike dhe të vetë-punësuarit përfitonin dy paga shtesë, të quajtura “pagat e luftës”, që Ministrja Denaj ka shpejguar në “Argument” se do shkojnë direkt në llogarinë e qytetarëve. Më pas, Ministrja Denaj bëri të ditur se qeveria kishte bërë ndryshimet e nevojshme në Buxhet për krizën, duke shtuar edhe Fondin e Sovranitetit prej 11 miliardë lekësh, që do t’i jepen kompanive me probleme në likuiditet, në formë kredie. Këto ndërhyrje shpjegoi ministrja Denaj do të ndikojnë në rritjen ekonomike që ulet në nivelin 2% dhe do të rrisëin deficitin buxhetor në 3.9% nga normat e parashikuara.
Qeveria sqaroi edhe se vlera e Eurobondit të ri që pritet të emetohet në muajin Maj, nuk do të jetë më në kuotën fillestare 600 milionë euro, por më në kuotën 651 milionë euro, duke rritur në këtë mënyrë borxhin publik. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 0.5% si një masë drastike, ndërsa u vendos të mbahej e pandryshuar norma e interesit për depozitat 1 ditore dhe u vendos shtyrja me 3 muaj e kësteve të kredive.
3.Parashikimet e Institucioneve Ndërkombëtare për ekonominë(FMN dhe Instituti Vienës)
Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në konsultën e fundit me qeverinë shqiptare ka parashikuar se vendi ynë do të vuajë pasojat e tërmetit dhe sidomos të COVID-19. Turizmi do të jetë sektori më i goditur nga dy krizat e fundit natyrore që kaloi Shqipëria, parashikoi ky mision.
Geri Kolgega / SCAN Magazine