Kërkesa e lartë nga shtetas të huaj ka rritur 40-60% çmimet e apartamenteve ekzistuese nga Shkëmbi i Kavajës, Lungomare e deri në Sarandë brenda vitit. Në resortet e reja që po ndërtohen në Rivierë, çmimet e apartamenteve nisin nga 2,000 deri në 4,500 euro/m². Këtë vit janë shtrenjtuar edhe çmimet e vilave në bregdet. Vilat elitare me pamje nga deti po shiten 1,2 mln euro nga 1 mln euro që ishte çmimi i tyre në vitin 2021. Në resortet e Jugut, pronat po blihen më shumë nga shqiptarët, për të investuar në qiradhënie apo rishitjen e tyre te të huajt, për shkak të rritjes së çmimeve nga viti në vit.
Apartamentet e reja në bregdet, këtë vit, po shiten mbi 900 euro/m². Agjencitë imobiliare pohojnë se çmimet në ndërtimet e reja janë shtrenjtuar në vendet si: Durrës, Qerret, Sarandë dhe Vlorë.
Në Durrës, çmimet e apartamenteve larg zonës së plazhit janë shtrenjtuar 20%, ndërsa ndryshimi më i madh është te pronat në vijën e parë të Shkëmbit të Kavajës, me çmime 46% më të larta.
Në Qerret, çmimet e shtëpive të reja nga 1,200 euro/m² në 2021 këtë vit kanë arritur deri në 1,400 euro/m² (rritja 16%). Në Sarandë, çmimet e apartamenteve vijuan rritjen edhe për këtë vit. Në ndërtimet e reja të periudhës 2021-2022, çmimet janë shtrenjtuar 40%. Rritja është e njëjtë edhe në apartamentet e stokut të krijuar me ndërtimet e para 10 viteve.
Në këtë qytet, vijojnë të shiten apartamente VIP, për shkak të pozicionit të lakmuar buzë detit dhe sipërfaqes së madhe të verandave me çmime deri në 3,500 euro/m² (vjet agjentët pohuan se pronat VIP u shitën edhe me 4,000 euro/m²).
Aktorët e tregut pohojnë se rritja e çmimeve është ndikuar nga kostot më të larta të ndërtimit, për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit, cilësisë, standardeve të projekteve të reja dhe kërkesës së lartë për blerje pronash në bregdet nga shtetas të huaj.
Çmime të larta këtë vit kanë edhe edhe apartamentet në ndërtime 2-3-katëshe ende të papërfunduara të resorteve kryesore. Në resortin turistik të “Kep Mërlit” në Ksamil, çmimet e apartamenteve kanë arritur 4,500 euro/m², në “San Nicolas”, Palasë 2,500 euro/m², në “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit 1,700 deri 2,200 euro/m² dhe në Vlorë, deri në 2,000 euro/m². Çmimet për këto ndërtime parashikojnë të shënojnë rritje 10-15% për vitin 2023.
Si kanë ndryshuar çmimet e apartamenteve në Durrës
Kërkesa për to është shumë e lartë, kryesisht nga shtetasit çekë, që kërkojnë të blejnë shtëpi domosdoshmërisht me pamje nga deti. Këtë vit, kërkesa për apartamente në vijën e parë të ndërtimit ka qenë shumë e lartë nga shtetasit e huaj, si në Durrës edhe në Qerret”, thekson z. Gjuzi.
Golemi, destinacioni i shqiptarëve të Kosovës dhe maqedonasve
Nëse 10 vite më parë, banorë të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit blenë masivisht apartamente në zonën e Golemit, duke i shfrytëzuar si shtëpi pushimi, tashmë 2-3 vitet e fundit ato po u shiten shqiptarëve të Kosovës dhe shtetasve të Maqedonisë së Veriut. Kërkesa e lartë për prona nga të huaj, kryesisht për vijën e parë, i ka rritur çmimet e tyre në Golem 800 euro deri në 1,000 euro/m².
“Shpërthen” kërkesa në Qerret nga të huajt për prona elitare
Kur bëhet fjalë për ndërtimet në zonën turistike të Qerretit, agjentët imobiliarë të agjencive kryesore të zonave bregdetare pohojnë njëzëri se çmimet për ndërtimet e reja me pamje nga deti kanë shënuar rritje 8 deri 16% më shumë se vjet.
Sipas Klajdi Memajdinit, agjent i shitjeve në “Devinf”, çmimet maksimale për apartamente me pamje nga deti dhe cilësi të lartë ndërtimi këtë vit kanë arritur deri në 1,400 euro/m² nga 1,200 euro/m² që ishin në vitin 2021.
Rriten çmimet edhe në Gjirin e Lalëzit
Për këtë vit, çmimet e apartamenteve në ndërtesa të ulëta në Gjirin e Lalëzit janë rritur rreth 15 deri në 30%. Klajdi Memajdini, nga agjencia imobiliare “Devinf”, thotë se çmimi i apartamenteve varion 1,300 – 1,800 euro/m² nga 1,000 – 1,600 euro/m² vjet. Arsyet e rritjes së çmimeve, sipas tij, janë ndikuar nga rritja e cilësisë së ndërtimeve.
Vijon rritja e çmimeve në Sarandë
Në Sarandë, çmimet e pronave VIP, për shkak të pozicionit dhe sipërfaqeve të mëdha me pamje nga deti edhe këtë vit po shiten me çmime 3,000 deri në 3,500 euro/m² sipas Eron Çumanit, drejtues i agjencisë imobiliare “Investment Property Sarandë”. Çumani thotë se këtë vit, në këtë qytet, pronat stok të ndërtuara para 5 apo 10 vitesh po shiten 30-40% më shumë.
Edhe ukrainasit zgjedhin Sarandën
Shumë shtetas ukrainas, për shkak të luftës që ka arritur në ditën e 70-të, janë larguar nga vendi i tyre. Disa prej tyre, që kanë pasur familjarë apo miq që kishin blerë apartamente në Jug të vendit, për shkak të luftës janë shtyrë të investojnë për një shtëpi në bregdet që do ta përdorin për banim.
Çmimet në Vlorë
Ndërtimi i shumë resorteve të reja turistike në Vlorë me apartamente në ndërtime të ulëta, me cilësi të lartë, me oborr dhe privatësi konsiderohen arsyet kryesore pse çmimet e tyre variojnë nga 1,500 deri 2,000 euro/m², sipas Eron Çumani, nga agjencia “Investment Property Sarandë”.
Apartamentet jo vetëm për banuar, por edhe për të investuar
Në kushtet kur qiratë dhe çmimet e shitjes së apartamenteve në bregdet janë rritur, investimi në asete imobiliare në këto zona mund të cilësohet si një biznes mjaft fitimprurës.