Një prezantim i gjatë, fjalët prekëse të protagonistëve, mirënjohja dhe në fund një “standing ovation” i ndjerë. Me rastin e hedhjes së shortit për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, UEFA ka vendosur t’u akordojë Çmimin e Presidentit, kapitenit të Danimarkës Simon Kjaer dhe mjekëve danezë, që i dhanë ndihmën e parë e rikthyen në jetë fantazistin Christian Eriksen.
“Simon Kjaer dhe mjekët e Danimarkës kanë treguar se jeta vlen më shumë se rezultati në fushë. Ky është një çmim i veçantë, që shkon përtej fushës së lojës, ndaj dua të shpreh respekt maksimal për të gjithë ata që e merituan plotësisht”, tha presidenti i UEFA-s, Ceferin.
Fantazisti danez, Christian Eriksen pësoi një atak kardiak teksa luhej ndeshja e Euro 2020-ës mes Danimarkës e Finlandës dhe ra pa ndjenja në tokë, ndërsa vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ia doli të rikthehej në jetë.
Aktualisht futbollisti po bashkëjeton me një defibrilator artificial dhe në muajt e ardhshëm pritet të kryejë të tjera ekzaminime, për të parë nëse do të mund të rikthehet sërish në fushën e lojës apo do ta mbyllë njëherë e mirë me futbollin e luajtur.