Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se mazhoranca ka dashur gjithëpërfshirje lidhur me Reformën Zgjedhore, edhe pse i ka pasur votat për ta miratuar.
Në një intervistë në media, Spiropali u shpreh se në çështjet teknike dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it është gjetur mirëkuptimi me opozitën jashtëparlamentare, por ajo tha se nëse opozita synon ta vonojë procesin, mazhoranca do ta votojë në Parlament këtë reformë.
“Ne kemi pasur jo vetëm biseda të vazhdueshme, por edhe dokumente mbi të cilat kemi rënë dakord. Kemi patur një mirëkuptim deri tani për çështjet teknike. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kryesisht janë aty, ne jemi të gatshëm t’i miratojmë ashtu siç është rënë dakord. Nuk bëjmë politikë me këtë çështje. Është një nga kërkesat e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave. Kemi një afat të përcaktuar. Shqipëria shihet me lupë për sa i përket proceseve integruese. Kemi dy mbledhje ndërqeveritare para se të merret vendimi përfundimtar dhe të fillojmë negociatat kapitull për kapitull. Duhet të jemi shumë seriozë. Nëse opozita do të gjejë çengelin e radhës për të penguar procesin e integrimit, kjo është tjetër gjë”, tha Spiropali.
E pyetur se pse e kërkon mazhoranca kontributin e opozitës jashtëparlamentare, Spiropali tha se kemi dashur të kemi një reformë sa më gjithëpërfshirëse.
“Ne nuk kishim pse t’i linim një vend në tryezë opozitës jashtëparlamentare, kur ata janë larguar vetë. Por ne donim një reformë gjithëpërfshirëse. Ata përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve dhe kanë marrë vota në 2017-ën dhe ne gjykuam që ata mund të tradhtojnë votuesit e tyre por s’mund t’i tradhtonim ne. Praktikisht u dhamë të njëjtin vend si opozitës parlamentare me të drejtën e vetos”, tha më tej Spiropali.
Ne shpresojmë, vijoi Spiropali, që opozita të votojë për pikat që kemi rënë dakord, që janë pikë më pikë rekomandimet e ODHIR, në mënyrë që ne ta votojmë në Kuvend
“Në rast se opozita gjen alibi për të mos marrë pjesë në proces me shpresën që ta pengojë, ne do ta votojmë, sepse është një nga kërkesat e Komisionit dhe Këshillit për ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e saj europiane”, tha Spiropali.