Gjatë mbledhjes së sotme të jashtëzakonshme, u morën disa vendime të rëndësishme që nga ndërtimi i shtëpive dhe lagjeve të reja në zonat e prekura nga tërmeti e deri tek rishikimi I buxhetit për vitin 2020. Rama u shpreh se do të realizohet pastrimi i inerteve në Durrës dhe Thumanë para Vitit të Ri si dhe do të fillohet shembja e të gjitha pallateve të dëmtuara pa kthim në të gjithë perimetrin e zonës së emergjencës.
Në mbledhjen e mëngjesit të sotëm u theksua sërish ristrukturimi i buxhetit për vitin 2020 duke vendosur në dispozicion të fondit për tërmetin tragjik si fazë të parë 0.4% të PBB. Afërsisht, e përkthyer në shifra është 57 milionë euro shuma që do të japë shteti për fondin e fatkeqësisë për tërmetin tragjik.
Gjithashtu kryeministri tha se gjatë periudhës dhjetor-janar do të jepen bonus qiraje për të gjithë të prekurit nga tërmeti në zonat urbane si dhe tenda dimërore me standarde në zonat rurale.
Sipas tij objektivi final në zonat urbane është 10 mijë apartamente të reja ndërsa ai afatshkurtër rreth 5 mijë apartamente të reja. Së fundmi Rama konfirmoi se do të ndërtohen lagje të reja në qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Laçit, brenda vitit 2021.
Në fund Rama tha se sot, së bashku me ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm, do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s të zhvilluar në Londër, një rast që do të shfrytëzohet për të kërkuar ndihmën e nevojshme nga partnerët në lidhje me situatën në vend.




