Nis procesi i dhënies së përfitimeve për qytetarët që përfitojnë pension për shkak të profesionit dhe për shtesë të pensionit të pleqërisë, ose invaliditetit, sipas parashikimeve të ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bëri të ditur se tashmë, pas përgatitjes dhe përfundimit të kuadrit të plotë ligjor, të gjitha Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore kanë nisur punën për dhënien e këtyre përfitimeve.
Në këtë kuadër, Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të lehtësuar procedurën e informimit të përfituesve do të publikojë çdo ditë listat emërore në faqen zyrtare www.issh.gov.al.
Deri tani janë depozituar rreth 17400 kërkesa për përfitim nga ky ligj, të cilat do të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër.
Përfitues të ligjit “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji” janë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, si dhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji. /a.sh./r.e/




