Prokuroria e Durrësit njoftoi këtë të hënë se ka regjistruar procedim penal pas tërmetit të 26 Nëntorit, që shkaktoi 51 viktima e qindra të plagosur, si pasojë e shembjes së disa ndërtesave.
Dy janë veprat penale ku po përqendrohen hetimet, ndërtim pa leje dhe shpërdorim detyre. Sipas prokurorisë, dyshohet se pasojat e rënda të tërmetit erdhën për shkak të ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës, si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyerjen e këtyre ndërtimeve.
“Më datë 29.11.2019 Prok. Durrës ka regjistruar çështjen penale që i referohet tërmetit të datës 26.11.2019 ku si pasojë e tij janë shembur një numër ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e një numri personash. Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyerjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Durrësit.
Organi i akuzës sqaron se çështja po hetohet nga një grup prokurorësh dhe oficerësh të Policisë Gjyqësore, të cilët janë gjithashtu në pritje edhe të referimeve nga ana e policisë.




