Katër emigrantë nga Siria janë plagosur paraditen e sotme në Pogradec, në aksin Zvezdë-Podgorie në vendin e quajtur “Lapidari”.
Nga burimet mësohet se makina me emigrantë që po lëvizte nga Bilishti në drejtim të Tiranës ishte pikasur nga policia, e cila kishte bërë shenjë që të ndalonte, por shoferi refuzoi duke mos iu bindur urdhrit. Policia në bashkëpunim me FRONTEX janë vendosur në ndjekje të makinës.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 26.07.2020, rreth orës 08:45, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, tek vendi i quajtur “Lapidari i Blacës”, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin M. Ç., rreth 19 vjeç, banues në Durrës, me një mjet tjetër furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. J., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, ku për pasojë janë dëmtuar lehtë 4 shtetas të huaj të cilët udhëtonin me mjetin tip “Audi”, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Pogradecit.
Mjeti tip “Audi”, me të cilin po transportoheshin 7 shtetas të huaj, nuk i ka ndaluar patrullës së Policisë Rrugore, Policisë Kufitare dhe shërbimeve të FRONTEX-it, të cilët janë vënë në ndjekje të tij.
Me dy drejtuesit e mjeteve po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit si edhe rrethanave të ngjarjes.




