Është bërë e ditur se Polonia i ka ardhur në ndihmë Shqipërisë, dhuron mjete mbrojtëse për spitalet.
Shumë shtete e ndihmuan Shqipërinë në fund të vitit 2019 që ishte prekur nga një tërmet i fuqishëm, e po ashtu edhe në muajt e parë të vitit 2020, ku u prek edhe nga virusi Covid-19. Në mesin e shteteve qe ndihmuan Shqipërinë në luftën kundër pandemisë Covid-19 ishte edhe Polonia, transmeton albinfo.ch.
Disa ditë më parë një autokolonë që përmban më shumë se 60 mijë litra dezinfektues sipërfaqesh e duarsh, si dhe 600 mijë maska kirurgjikale është nisur nga Varshava, Poloni, drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Ndihma po përcillet pikërisht nga një autokolonë trajlerash nga shërbimi zjarrfikës polak, i cili ka qenë në Shqipëri edhe në dhjetor 2019 me ndihma për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.
Ambasadori i Polonisë në vendin tonë, Karol Bachura, deklaroi se gati 70 tonë mjete mbrojtëse janë menduar për spitalet dhe personat që i kanë më të nevojshme në rajon. Ndihma në fjalë, tha ai, u përgjigjet nevojave të ngutshme të shteteve pritëse, të shpallura midis të tjerash në kuadër të Qendrës Euroatlantike të Reagimit për Situatat e Katastrofave (EADRCC) të NATO-s; Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
“Përcjellja e ndihmës është një shprehje simbolike e solidaritetit ndërkombëtar të Polonisë në kontekstin e luftës kundër pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saj negative social-ekonomike. Që me fillimin e pandemisë, Polonia ka vënë theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar. Detyrimi ynë moral është demonstrimi i solidaritetit dhe ndihma për të tjerët në kohë të vështira”, u shpreh ndër të tjera Karol Bachura.
Gjithashtu, Bachura u shpreh më tej se ndihma humanitare polake për vendet e Ballkanit Perëndimor konfirmon rëndësinë që Polonia u kushton marrëdhënieve miqësore me shtetet e rajonit, të cilat vitet e fundit kanë njohur intensifikim të mëtejshëm.