Moderatorja Bora Zemani ka festuar ditën e djeshme ditëlindjen dhe më shumë se çdo vit tjetër, ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave rozë dhe jo vetëm.
Surprizat kanë qenë të shumta për të, nga miq e njerëz të afërt. Po ashtu edhe në “Për’puthen”, ajo është surprizuar nga konkurrentët. Që në nisje të puntatës, Ana Lleshi dhe Florjana Gjini i sollën moderatores një buqetë shumë të bukur me trëndafila të kuq, si dhe tortën ku shkruhej “Moderatorja më e mirë”.
Bora u emocionua, e tha se ndihet e lumtur që feston edhe në familjen e përditshme të “Për’puthen”. Megjithatë, nuk iu shmang dot pyetjeve ngacmuese për “ndryshimin e prefiksit” pasi moderatorja ka festuar 30-vjetorin.
“Ndihem e plotësuar, e mbushur me dashuri, kam një djalë si drita, kam njerëz që më duan e i dua dhe një punë që më bën të ndihem mirë”, tha ajo, e pyetur sesi ndihet tani që ka mbushur 30 vjeç.
Po ashtu, Ana Lleshi e ngacmoi disi moderatoren për të zbuluar se cili ishte personi i parë që e suprizoi sapo ora shënoi 00:00. Mirëpo, Bora kishte vetëm një emër. “Semi, me qirinjtë dhe tortën”, tha moderatorja, që përshëndeti miken e saj të ngushtë nga ekrani.
Gjithashtu, me humor tha se mendonte se do të ndihej çuditshëm si 30-vjeçare, por tregoi se shumë njerëz i kishin thënë se jeta nis pas të tridhjetave, dhe ajo zgjidhte të besonte këtë.





