Gjatë vizitës së tij në Qarkun e Durrësit, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim të hapur për rreth dy orë me një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe banorë të zonës.

Gjatë bisedës ministri Lleshaj është ndalur në Paktin për Universitetin, tërheqjen e studentëve më të mirë në Policinë e Shtetit, çështjet mjedisore që shqetësojnë komunitetin, etj.
“Ju e dini që në kuadër të Paktit që ka shpallur Qeveria për universitetet ne po bëjmë disa hapa të rëndësishëm, një ndër to është afrimi i studentëve në administratë, në rastin konkret tek Ministria e Brendshme. Para disa ditësh unë pata rastin të takoj grupin e parë të studentëve që u punësua në administratën tonë, i cili plotësoi të gjitha vendet bosh që ishin, praktikisht. Studentët e ekselencës, të nëntës dhe të dhjetës aplikuan dhe zgjodhën vetë se ku do shkojnë”, është shprehur ministri.
Më tej Lleshaj u ka shpjeguar të rinjve ndryshimet e fundit ligjore në ligjin për Policinë e Shtetit dhe për qasjen e re për Akademinë e Sigurisë. Ai ka nënvizuar se Policia ka nevojë për shumë njerëz që janë ekselentë të vërtetë në ato shkenca që janë pararojë e zhvillimit të përgjithshëm botëror sot.
“Ne kemi filluar me një program të rëndësishëm në Akademinë e Sigurisë, kemi hapur portat për të marrë studentë, që kanë mbaruar me rezultatet të larta, jo mbi 9 por mbi 8, në disa prej degëve në të cilat në kemi më shumë nevojë për momentin. Sapo kemi pranuar një grup prej 53 aplikantësh nga rreth 500 të tillë, ku u morëm më të mirët, të cilët parashikohet që pas përfundimit të një trajnimi 6-mujor, të fillojnë punë në strukturat e hetimit të krimit”, u shpreh ministri.
Ai ka kërkuar nga studentët e ekonomisë, informatikës etj., të konsiderojnë si mundësi punësimin në radhët e Policisë së Shtetit.
“Ju inkurajoj që ta shikoni shërbimin në Policinë e Shtetit si një opsion dhe mos kujtoni se në Policinë e Shtetit shërbehet vetëm duke qenë në rrugë. Polici në kryqëzim pak nga pak do të zëvendësohet me teknologji, do të vendosim sisteme me kamera, sisteme sensorësh të tjerë dhe kemi filluar, por për t’i mirëmbajtur, për t’i konceptuar dhe zhvilluar më tej, na duhen ekspertë. Ndaj sa herë të mendoni për të kërkuar një vend pune të arsyeshëm, që ka shumë sfidë, por ka dhe shumë kënaqësi, duhet ta shikoni Policinë e Shtetit si një adresë të mundshme me kusht që të keni integritet të lartë dhe një ambicie të madhe për tu zhvilluar”, theksoi Lleshaj.
Porti i Durrësit është një mundësi konkrete për studentët që të sigurojnë punësim sezional. “ 40% e të ardhurave tona zhvillohet në portin e Durrësit; 40% e parasë, e mallit, lëviz përmes këtij porti. Aty zhvillohet një pjesë e madhe e ekonomisë sonë dhe është shumë e rëndësishme që të bëheni pjesë e tyre. Mund të merrni studentë në doganë dhe në këtë mënyrë na ndihmoni edhe ne, sepse në qoftë se i çoni ata studentë atje, do t’i vini ata nëpunësit tanë përballë një presioni tjetër pozitiv, kur kanë në zyrë edhe një student i cili nuk është pjesë e grupit, absolutisht i palidhur me ta, i pakorruptuar. Pra do të bëjmë kështu virtualisht njëfarë kontrolli të tretë apo të katërt, por gjithsesi një kontroll të mirë i cili na shërben për të luftuar fenomene të caktuara të korrupsionit, që për fat të keq i kemi”, është shprehur ministri