Të hënën, më 18 tetor, nis viti i ri akademik 2021-2022 për studentët “Bachelor”, ndërsa më 10 nëntor për “Master”. Ndërkohë që procesi i vaksinimit po vazhdon, të gjithë studentët që duan të rikthehen në auditore duhet të jenë të vaksinuar, të paktën me një dozë.
Por çfarë do të ndodhë me ata që nuk pranojnë të vaksinohen?
Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, njoftoi në një konferencë për mediat se studentët që nuk janë vaksinuar, nuk paraqesin testin PCR apo rekomandimin e mjekut për arsyet për të mos injektuar dozën, nuk do të lejohen që të futen në ambientet e universiteteve.
I pyetur pse nuk do të ofrohet mundësia e mësimit online për studentët që nuk pranojnë të vaksinohen, Hoxha tha:
“Unë do t’i përgjigjem me dy momente pyetjes: E para, absolutisht që mësimi online është përmirësuar, por ne kemi studentë që pas 2 vitesh nuk e njohin universitetin nga pikëpamja fizike, nuk kanë kontakte. E dyta, ata që i kemi në master, një dhe dyvjeçar na përfundon një brez i tërë që nuk kanë kontakt me auditorin.
Mësimi në auditor nuk zëvendësohet. Sa i përket alternativës, ju duhet të dini se ka dy urdhra, i pari që mund të alternohet mësimi online. Kurse po kjo pikë, e heq platformën si mundësi dhe thotë që studentët duhet të paraqesin certifikatën apo kartën e vaksinimit.
Do ta shikojmë procesin dhe do të marrim vendime në të mirë të mbarëvajtjes dhe të shëndetit të tyre, por edhe të moslejimit që studentët të humbasin zhvillimin e programit të vitit akademik. Kjo do të vendoset pasi të shikojmë situatën me të cilën do të përballemi.”