Ekonomia shqiptare do të vijojë përshpejtimin e rritjes për periudhën në vijim, ndërsa inflacioni dhe treguesit makroekonomikë po ankorohen drejt objektivit të Bankës Qendrore.
Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp të së mërkurës, pas Mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, ku ndër të tjera theksoi se “informacioni i ri i marrë në analizë ka qenë përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Rritja ekonomike vijoi të jetë e ngadaltë në tremujorin e dytë, në linjë me ecurinë e vënë re gjatë tremujorit paraardhës, ndërsa inflacioni mbeti në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit në tremujorin e tretë”.
Në opinionin e Këshillit, tha Sejko, kjo ecuri është diktuar më së shumti nga goditje të përkohshme të ofertës. Si e tillë, ajo nuk ndryshon në mënyrë të ndjeshme pritjet tona për ecurinë e ekonomisë në afatin e mesëm.
Parashikimet tona, në skenarin e tyre bazë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë dy viteve të ardhshme, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda këtij horizonti kohor. Në këto rrethana, qëndrimi aktual stimulues i politikës sonë monetare vlerësohet të jetë i përshtatshëm.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, Guvernatori theksoi se ekonomia shqiptare u rrit me 2,3% në tremujorin e dytë të vitit. Rritja ekonomike është mbështetur nga zgjerimi i konsumit publik dhe privat, ndërkohë që eksportet neto dhe investimet kanë shënuar rënie.
Ashtu si dhe në tremujorin e parë, ngadalësimi i ritmit të rritjes pasqyron rënien e prodhimit dhe të eksportit të energjisë elektrike, efektet tranzitore të mbylljes së lojërave të fatit, dhe hyrjen në fazën përfundimtare të punimeve në një projekt madhor energjetik. Këto efekte do të jenë të pranishme edhe në gjysmën e dytë të vitit. Për rrjedhojë, ritmi i rritjes ekonomike në këtë periudhë pritet të jetë i krahasueshëm me atë të gjysmës së parë, por të vijë në përshpejtim dy vitet në vazhdim.
“Zgjerimi i vëllimit të aktivitetit ekonomik ka pasqyruar kostot e ulëta të financimit të konsumit dhe investimeve, bilancet e përmirësuara të agjentëve ekonomikë, si dhe rritjen e të ardhurave nga aktiviteti i turizmit. Kombinimi i stimulit monetar, konsolidimit fiskal dhe forcimit të shëndetit të sektorit bankar, ka prodhuar një ambient makroekonomik të favorshëm për rritjen e ekonomisë në vijim”, – deklaroi Guvernatori Sejko. /e.xh/r.e/




