Parku i prodhimit të energjisë elektrike duke shfrytëzuar energjinë e diellit në Karavasta do të ndërtohet nga kompania franceze Voltalia, e cila u shpall fituese me një ofertë prej 100 milionë eurosh të ankandit të thirrur nga qeveria shqiptare në fillim të këtij viti.
Lajmi u bë me dije gjatë një konference për shtyp të thirrur nga Kryeministri Edi Rama.
Rama e lavdëroi ofertën dhe kompaninë franceze si “një investim i rëndësishëm i huaj” nga një “kompani me prestigj ndërkombëtar”.
E pranishme në konferencë, Ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku u shpreh se oferta ishte e jashtë zakonshme dhe se “ky ishte një çmim rekord për të gjitha parqet energjitike”.
Ankandi i Parkut Fotovoltaik të Karavastasë do të ndërtohet në një zonë prej rreth 198 hektarësh mes Remasit dhe Libofshës (Divjakë-Fier).
Shfrytëzimi i këtij parku parashikohet të jepet për 15 vite ndërsa kapaciteti energjitik do të jetë 140 MW ku gjysma e prodhimit do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes një kontrate afatgjatë me çmim të fiksuar në 24.89 euro për megavat, çmim të cilin Ministrja Balluku e cilësoi më të lirin në rajon.
Ankandi i parkut fotovoltaik të Karavastasë u shpall më 20 janar 2020. Pesë kompani morën pjesë në garë dhe patën kohë deri më 16 mars të paraqisnin ofertat.
Kthimi i përgjigjeve dhe hapja publike e ofertave pritej të bëhej më 6 dhe 7 prill ndërsa lidhja e kontratës më 8 maj.
Për shkak të situatës së pandemisë vlerësimi i ofertave u tha se ishte bërë përmes videokonferencave, ndërsa kompanitë që u skualifikuan qenë njoftuar më 20 maj.
Pas shpalljes së fituesit tashmë qeveria ka përpara një tjetër sfidë, konkretizimin e investimit.
Dy vite më parë qeveria zhvilloi një ankand të ngjashëm për impiantin fotovoltaik të Akërnisë, prej së cilës u shpall fituese me një ofertë prej 70 milionë eurosh konsorciumi India Power Corporation.
Mirëpo për çështje të cilat nuk u bënë të qarta nënshkrimi i kontratës u zvarrit dhe ende sot impianti nuk është nisur së ndërtuari.
Prej vitesh Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shqipërisë të diversifikojë sistemin e prodhimit të energjisë elektrike duke ulur varësinë nga prodhimi prej shfrytëzimit të lumenjve.
Shfrytëzimi i energjisë së diellit shihet si alternativa më e mirë, kjo duke u nisur nga fakti se pozicioni gjeografik e avantazhon Shqipërinë me rreth treçerekun e vitit me ditë me diell.