Pranvera Kola
Maturantët kanë nisur tashmë garën për provimet e Maturës Shtetërore 2020. Sipas udhëzimit të miratuar së fundmi nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, maturantët fillimisht do të bëjnë aplikimin online në portalin qeveritar “E-albania” deri në mbyllje të javës së dytë të muajit dhjetor, për të vijuar më pas me plotësimin e dy formularëve A1 dhe A1Z në portalin e maturës, deri në datën 13 dhjetor 2019. Sikundër ka ndodhur edhe në maturat e shkuara, plotësimi online i dy formularëve do të bëhet sipas një kalendari të përcaktuar datash për secilin qark në vend. Kjo me qëllim shmangien e mbingarkesës së rrjetit online. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin e datave kur maturantët e secilit qytet duhet të plotësojnë online formularin përkatës.
Provimet e 2020-s
“Zyrtarisht, lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2020 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga listat zyrtare e miratuara për secilin profil shkollor”, bëjnë me dije ekspertët e MASR. Sa i takon provimit me zgjedhje, maturanti duhet të zgjedhë këtë lëndë nga lista e 11 lëndëve të miratuara për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre artistike. Ndërkohë që për maturantët e shkollave profesionale janë përcaktuar lëndët përkatëse nga ku duhet të zgjedhin vetëm një për ta dhënë si provim me zgjedhje, listë të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Sipas udhëzimit: “kandidatët e viteve të shkuara që do të garojnë për studimet e larta gjatë vitit që vjen, nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marre rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundi për njërën lëndë”.
Plotësimi i formularit A1
Këtë formular duhet ta plotësojnë të gjithë maturantët që mbyllin studimet e shkollës së mesme përgjatë vitit 2020. Sipas grafikut të përcaktuar janë maturantët e Tiranës ata që kanë nisur të parët me plotësimin online të këtij formulari sipas rregullave të përcaktuara në udhëzimin e MASR. Plotësimi i formularit do të vijojë sipas datave të përcaktuara në vijim të shkrimit edhe për rrethet e tjera të vendit. Aplikimi do të bëhet online në portalin e maturës, dhe në çdo rast maturanti do të ndihmohet nga një mbikëqyrës për të shmangur gabimet në plotësimin e tij. Nga lista zyrtare e lëndëve të miratuara, maturanti ka të drejtë që të zgjedhë vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje. Për shkollat profesionale bëhet e ditur se teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale lëndën me zgjedhje duhet ta përzgjedhin detyrimisht nga lista që është e përcaktuar vetëm për këtë profil shkollash.
Plotësimi i formularit A1Z
Formularin A1Z duhet ta plotësojnë të gjithë kandidatët që kanë kryer studimet e shkollës së mesme në vitet e shkuara. Sipas udhëzimit, këtë formular mund ta plotësojnë kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2020-s dhe që kanë detyrim për të dhënë një, ose disa provime të maturës, po ashtu mund ta plotësojnë kandidatët që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, të cilët pasi kanë bërë njehsimin e diplomës në komisionin përkatës të QSHA-së rezulton se kanë detyrimin për të dhënë një, ose disa provime të maturës, si dhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme në Shqipëri ose jashtë vendit që nuk kanë detyrim për të dhënë provime të maturës 2020, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet publike, apo private përgjatë vitit të ri akademik. Edhe në këtë rast, plotësimi i këtij formulari do të ndiqet nga një mbikëqyrës.
Për të bërë plotësimin e formularit A1Z, kandidati duhet të paraqesë ke mbikëqyrësi një vërtetim të lëshuar nga Komisioni i Maturës Shtetërore dhe Zyrës Vendore të Arsimit, i cili pasqyron provimet që ai ka dhënë, si dhe rezultatet që ka marrë në to. Vërtetimi krahas gjeneraliteteve duhet të ketë edhe këto të dhëna: provimet e detyruara dhe notat e përshkallëzuar të marrë në secilin prej tyre, si dhe notën e përshkallëzuar të marrë në provimin lëndës me zgjedhje. Sipas kushteve të përcaktuara, maturantët që në maturat e shkuara kanë dhënë provime me zgjedhje dhe rezultojnë kalues në të nuk kanë më detyrim që të japin provim me zgjedhje. Ata mund të mbartin rezultatin e kësaj lëndë sipas preferencës së tyre. Ndërsa maturantët që në maturat para 2011-s nuk kanë dhënë provim me zgjedhje nuk kanë detyrim që të japin më këtë lëndë, me përjashtim vetëm të rasteve, në të cilat kjo përcaktohet nga shkollat e larta si detyrim për konkurrim. Ndërsa kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale duhet të mbartin lëndën e teorisë profesionale të integruar nëse e kanë dhënë dhe kanë rezultuar kalues në të, ose duhet që të rihapin këtë lëndë në përputhje me indeksin e profilit të degës nëse nuk kanë dhënë më parë, ose kanë rezultuar mbetës. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2014-s, por që nuk janë pajisur me Dëftesë pjekurie, apo Diplomë mature nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Pasi kanë fituar provimet e maturës, ata marrin diplomë dhe certifikatën përkatëse. Çdo maturant që nuk rezulton kalues në provimet e maturës në sezonin e muajit qershor ka të drejtë që t’i japë sërish po sipas të njëjtave kushte në sezonin e vjeshtës. Në maturat e para 2020-s, kur maturanti ka dhënë më shumë se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.

Pikët për kaluesit
Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e miratuar nga MASR, saktësohet se maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi. Ndërkohë që në maturat e shkuara për të qenë kalues duhej që maturanti të grumbullonte 20 për qind të pikëve totale të testit. Ky ndryshim i pikëve për pragun kalues është bërë me qëllim që të rritet ehe cilësia e kandidatëve që do të garojnë më tej për studimet e larta.
Lista e lëndëve me zgjedhje për gjimnazet e përgjithshme
- Kimi
- Fizikë
- Biologji
- Histori
- Gjeografi
- Qytetari dhe Psikologji
- Filozofi dhe Sociologji
- Ekonomi
Lista e lëndëve me zgjedhje vetëm për shkollat artistike
- Histori Baleti
- Histori Arti
- Histori Muzike
Lista e lëndëve me zgjedhje vetëm për shkollat profesionale
- Për shkollat profesionale
- Hoteleri-turizëm
- Shërbime mjetesh transporti
- Mekanikë
- Elektroteknike
- Elektronikë
- Përpunim Druri
- Ndërtim
- Tekstil Konfeksione
- Tekstil Konfeksione (NABER-ADA)
- Teknologji Ushqimore
- Bujqësi
- Shërbime sociale dhe shëndetësore
- Instalues i sistemeve termohidraulike
- Teknologji Kimike
- Peshkim
- Detari
- Gjeologji-miniera
- Llogari
- Shërbime Bankare
- Sipërmarrje e agjencisë turistike
- Sigurime
- Tregti
- Administrim biznesi
- Rrjete të dhënash
- Mbështetje të përdoruesve të TIK
- Zhvillim Website
- Rrjete të dhënash (pilot-giz)
- Inxhinieri informatike softëeresh
- Silvikulturë
- Agrobiznes
- Gjeodezi
- Veterinari
- Biznes Harry Fultz
- Elektronikë Harry Fultz
- Automekanik Harry Fultz
- Teknologji informacioni Peter Mehringer
- Kërkim shpim dhe shfrytëzim gazi, nafte dhe uji.
Afatet e aplikimit online për maturantët





